Lajme

Akuza për korrupsion, Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve

Gazeta10
26 Shtator 2024 - 15:25

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimi lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, lidhur me akuzën për korrupsion.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 prill 2024, kishte liruar nga akuza Hoxhën dhe katër të tjerët, me arsyetimin se nuk janë provuar faktet konkrete që përbëjnë elemente të kryerjes së veprës penale.

Përmes aktgjykimit të 26 shtatorit 2024, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 të KPP, nga fakti se dispozitivi është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin e tij, në të cilin janë paraqitur arsyet e plota dhe të qarta të fakteve vendimtare dhe zgjidhjes së çështjeve juridike të kësaj çështje penale dhe se nuk përmban asnjë shkelje tjetër e cila kishte për të kushtëzuar anulimin e detyrueshëm të aktgjykimit të ankimuar.

Lidhur me pretendimin ankimor të Prokurorisë se shkalla e parë gabimisht dhe në mënyrë jo të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe me këtë është shkelur Ligji Penal pasi nuk janë vlerësuar në mënyrë të duhur provat e paraqitura nga Prokuroria, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike dhe përkitazi me këtë ka dhënë arsyet të qarta dhe konkrete në aktgjykimin e ankimuar.

Sipas Apelit, Themelorja ka gjetur me të drejtë se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar, andaj edhe kolegji penal i kësaj gjykate i ka liruar të njëjtit nga akuza e PSRK-së, për veprat penale për të cilat i ka akuzuar, pasi nuk është vërtetuar se në veprimet e tyre fitohen elementet e veprës penale e në veçanti elementi subjekti- dashja direkte.

Për çka akuzohej Hoxha dhe të tjerët

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison Strategies LLC”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast iaa ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Hoxha më 24 prill 2019, kishte kërkuar nga i akuzuari Cukaj që për aktivitetin e lartcekur të nis procedurat e prokurimit, duke përcaktuar procedurat që duhej aplikuar dhe emrin e operatorit ekonomik, “Madison Strategies LLC”, ku më 17 qershor 2019 është lidhur kontrata me këtë kompani në vlerë prej 152 mijë e 232 euro.

Mustafa akuzohej se në cilësinë e drejtorit të Divizionit të Prokurimit në MIE, i ishte drejtuar me kërkesë të akuzuarve Cakaj dhe Shasha, me anë të së cilës kishte kërkuar që kërkesat e parashtruara nga Hoxha për miratimin apo vazhdimin e këtyre kontratave të miratoheshin edhe pse i njëjti e dinte se janë në kundërshtim me ligjin.

Demush Shasha, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të MIE-së dhe Kushtrim Cukaj e Nuhi Osmani në cilësinë e UD-ve të kësaj pozite akuzoheshin nga PSRK-ja, se kishin aprovuar kërkesat e parashtruara nga i akuzuari Mustafa dhe kishin lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse e dinin se kërkesa e parashtruar ishte në kundërshtim me ligj.

Prandaj nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.