Ministria të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka inspektuar bufetë që gjenden në objektit e ish-Ndërmarrjes “Rilindja” duke mbyllur një dhe gjobitur një tjetër, për mos respektim të ligjit për duhanin. Aty janë të vendosur stafi i disa ministrive. Sipas AUK-ut aksioni për kontrollin në këto dy bufe është bërë duke u bazuar në kërkesën e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci për zbatueshmërinë e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
“Duke u bazuar në kërkesën e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci për zbatueshmërinë e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka inspektuar bufetë të cilat gjenden në objektin e “Ish-Rilindjes”, ku aktualisht janë të vendosura stafi i disa Ministrive. Në inspektimin e bërë para disa ditësh, njëra hapësirë e cila ka shërbyer si bufe është mbyllur sipas paragrafit 1 të nenit 11 të Ligjit Nr. 04/L-156, ndërsa tjetra është gjobitur për shkelje të ligjit më fjalë. Për të gjitha këto veprime janë të njoftuar menaxherët e këtyre bizneseve dhe po ashtu edhe zyrtarët kryesorë administrativ të institucioneve të cilët do të ndërmarrin masa disiplinore ndaj zyrtarëve dhe personave që kanë shkelur ligjin brenda hapësirave të cilat janë nën menaxhim të tyre, sipas paragrafit 1.2 të nenit 11 të këtij ligji. Sipas Ligjit për Kontrollin e Duhanit, masat ndëshkimore për zyrtarët/punonjësit shqiptohen nga Zyrtari Kryesor Administrativ dhe Inspektorati i Punës”, thuhet në komunikatën e MBPZhR.
Mes tjerash thuhet se hapësirat e lartpërmendura janë inspektuar edhe më parë dhe për subjektet janë dërguar fletëparaqitjet për gjykatë. Urdhëresa e Ministrit Peci vlen ndaj të gjithëve pa përjashtim. Andaj, edhe AUV do të vazhdoj me inspektimet me frekuencë të shtuar. /Gazeta10/