Sport

Ballkani gati për triumfin e radhës ndaj Sivassporit

Gazeta10
13 Tetor 2022 - 12:03

Ballkani zbret sonte në fushë për sfidën e radhës në Conference League. Djemtë e Ilir Dajës do sfidojnë sërish Sivassporin, kundërshtar ndaj të cilit arritën suksesin e parë në historinë e klubit dhe të futbollit dardan në një duel grupesh në Europë.

Kampionët e Kosovës triumfuan me meritë 3-4 në tokën turke në një përballje drithëruese nëpërmjet një futbolli shumë të bukur dhe ofensiv. Sot do të guxojnë të arrijnë një tjetër fitore për të bërë krenarë tifozët e pranishëm në “Fadil Vokrri”, stadium ku janë shitur të gjithë biletat.

Por edhe për të mbushur arkat e klubit dhe xhepat e tyre, dhe për të hedhur një hap drejt kualifikimit, objektiv që në Suharekë nuk përbën më një ëndërr. Grupi G ka një balancë totale, të katërta ekipet numërojnë nga 4 pikë pas zhvillimit të gjysmës së ndeshjeve dhe janë në garë për t’u kualifikuar.

“Ballkani ka djem me personalitet dhe futbollistë me karakter. Kemi frymë grupi, të gjithë luftojnë në të dy fazat e lojës. Këto gjëra kanë ndikuar që Ballkani të jetë i barabartë në lojë dhe golavarazh edhe me ekipe që kanë më shumë buxhet dhe eksperiencë se sa ne.

“Stadiumi plot? Përgjegjësi më e madhe. Pritshmëria ndaj nesh është rritur duke llogaritur ndeshjet që kemi bërë, por duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë”, deklaroi ditën e djeshme Ilir Daja në prononcimin për shtypin.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.