Lajme

BE ripërsërit qëndrimin se Ura e Ibrit duhet të hapet me Dialog: Është çështje shpërthyese, jo vendime të njëanshme

Gazeta10
10 Gusht 2024 - 16:26

Ideja e Qeverisë së Kosovës për hapjen për makina të Urës mbi lumin Ibër, është kthyer në temën kryesore ditëve të fundit.

Hapja e saj për makina është kundërshtuar nga Bashkimi Evropianë dhe partnerë të tjerë të  Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se kjo është një çështje shpërthyese dhe problematike, ndonëse sipas tij urat janë për bashkimin e njerëzve.

 “Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike. Prandaj kemi thënë gjithmonë se është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe si të gjitha çështjet problematike duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”, ka thënë Stano në një intervistë për median serbe N1.

Ai tha se javën e kaluar ambasadorët e QUINT i e porositën kryeministrin Albin Kurti, që mos të bëjë  bëjë lëvizje të njëanshme.

“Por ai duket i vendosur ta bëjë këtë. Prandaj thamë, ‘jo, do të ketë efekte shumë negative’. Kërkojmë nga autoritetet të parandalojnë dhe shmangin hapat që do të çojnë në konfrontime dhe përshkallëzim më të madh. Sepse i lëndon njerëzit në terren dhe ju dhemb edhe juve, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën disa masa të ShBA-së për shkak të ndërmarrjes së përsëritur dhe të provuar të lëvizjeve që çojnë në përshkallëzim”.

Stano po vlerëson se hapja e urës nuk do t’i ndihmojë askujt dhe do të ndikojë te një numër i madh njerëzish.

Më tej, ai tha se Bashkimi Evropian nuk është një forcë ndërhyrëse.

“Ne nuk duam t’u imponojmë partnerëve tanë gjëra që populli, popullata vendase, mund t’i konsiderojë si ndërhyrje në punët e brendshme. Pikërisht për këtë ne punojmë si ndërmjetës në dialog. Ndërmjetësi është si një mësues i mirë, i cili përpiqet të bëjë që dy nxënës kokëfortë të arrijnë ndonjë rezultat. Në këtë rast, ata të fillojnë të trajtojnë njëri-tjetrin normalisht”.

Ai tha se Kosova e Serbia po ndëshkojnë veten dhe popullin e tyre.

“Ne këto nuk mund t’ua imponojnë atyre. Nëse ata nuk duan – na vjen keq. Ata nuk do të përparojnë, por do të ndëshkojnë veten dhe do të ndëshkojnë popujt e tyre dhe nuk do t’i afrohen BE-së. Sepse ata vetë thanë: ‘Ne duam të jemi pjesë e klubit tuaj evropian’. Pastaj Bashkimi Evropian tha: ‘Në rregull. Këto janë kushtet dhe ju lutemi plotësoni ato. Nëse nuk i plotëson, nuk do të jesh pjesë e klubit”.

Stano tha se Serbia dhe Kosova  nëse duan të anëtarësohen në BE duhet të ndjekin rregullat e saj.

“Atëherë duhet të ndiqni rregullat dhe rregullat thonë se kërkohen marrëdhënie të mira fqinjësore. Nëse nuk i keni, atëherë duhet të punoni për pajtim dhe normalizim. Ne do të ndihmojmë. Dhe ne vazhdojmë të ndihmojmë, sepse besojmë se mund të funksionojë. Më parë ka funksionuar me anëtarët e tjerë që janë tani në BE, por që më parë ata kanë luftuar në luftëra shumë më brutale se ajo mes serbëve dhe kosovarëve. Dhe ia dolëm. Por kjo kërkon guxim, pjekuri dhe kërkon lidership politik, i cili do të arrinte kompromisin e nevojshëm. Kjo është ajo që ne po përpiqemi t’i ndihmojmë të dyja palët të arrijnë. Por ne nuk do t’u imponojmë atyre. Sepse nëse ata nuk e duan, atëherë ne nuk mund të dëshirojmë pajtim mes Kosovës dhe Serbisë më shumë seç e duan Kosova dhe Serbia dhe liderët e tyre. Prandaj ne vetëm mund të ndihmojmë dhe këshillojmë, por nuk mund t’i detyrojmë apo detyrojmë ta bëjnë këtë”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në veri, siç është mbyllja e pikave ilegale të Postës së Serbisë, Stano tha se “problemi që e shohim gjithnjë e më shumë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është se jemi vazhdimisht në gjendje krize, në modalitet të zgjidhjes së krizës”.

Dhe kjo, sipas tij, nuk është mirë. “Sepse ne kemi shpresuar në fillim të këtij mandati, kur kemi iniciuar vazhdimin e dialogut, se do të kemi progres, se do të jemi në gjendje t’i ndihmojmë Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një progres në normalizim. Fatkeqësisht, ne shohim gjithnjë e më shumë lëvizje të njëanshme dhe veprime të pakoordinuara. Fatkeqësisht, shumica e tyre vijnë nga administrata në Prishtinë. Bastisjet, gjegjësisht mbyllja e tetë degëve të postës serbe në veri të Kosovës është shumë për të ardhur keq dhe është shkelje e marrëveshjes së dialogut: e njëanshme, e pakoordinuar, me ndikim negativ në popullatën vendase. Prandaj kërkojmë nga autoritetet që të rishqyrtojnë vendimin e tyre dhe t’i kthehen dialogut me ide konstruktive se si të zgjidhet problemi që kanë. Kurse ata flasin për arsyet e tyre që me problemin të merren me veprime të tilla. Ne duam të shohim angazhim dhe dialog në vend të veprimeve të njëanshme”, ka thënë Peter Stano.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.