Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka qenë mysafir në emisionin ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.
Ai është përballur me pyetje të shumta nga panelistët se cilët do të ishin hapat e parë të LDK-së nëse merr pushtetin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton gazeta10.
Adrian Çollaku nga Gazetablic ka pyetur Gashin se çfarë veprimi do të bëjë LDK që BE të marrë vendim për heqje të masave ndaj Kosovës.
“Çka nëse e merrni postin e kryeministrit dhe qysh keni me i hequr sanksionet a keni me dërgua lëndën në Gjykatën Kushtetuese për Asociacion a si do ta zgjidhni situatën?”, ka qenë pyetja e Çollakut drejtuar Gashit.
I menjëhershëm ka qenë përgjigja e Arben Gashit.
“Nuk është çështja e parë kjo. Duhet t’i shikojmë pak rrethanat dhe rrethanat janë të tilla që kjo nuk do të jetë çështje e parë edhe për një arsye tjetër sepse pas gjashtë muajsh do të jenë zgjedhjet lokale dhe kjo do të jetë temë mbas zgjedhjeve lokale në gjithë territorin e Kosovës përfshirë edhe veriun. Qëndrimi zyrtar i LDK-së që është vendim i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së është që Kosova duhet t’i zbatojë obligimet e veta ndërkombëtare pikë. Duhet të formohet Asociacioni në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese pikë. Duhet që ky venim i Gjykatës Kushtetuese të jetë mbi parimet e karakterit unitar të shtetit, e ruajtjes territoriale, e eliminimit të mundësisë së ndërtimit të nivelit të tretë që qeverisjes dhe do të jetë institucion koordinues mes komunave me shumicë serbe”, ka qenë përgjigja e Gashit. /Gazeta10/