Lajme

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për cenim të drejtave autoriale

Gazeta10
08 Janar 2025 - 21:02

I pafajshëm është deklaruar i akuzuari Kujtim Manaj në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ai po akuzohet nga prokuroria se ka cenuar të drejtat autoriale, duke shpërndarë në mënyrë të pa autorizuar filmin “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”.

Prokurori Avni Rrahmani ndërkohë ka lexuar aktakuzën që rëndon mbi Manajn.

“Duke shkarkuar në internet në ‘google drive’ filmin ‘Pranverë e paharruar në fshatin e harruar’ pa lejen e producentëve, duke ia mundësuar edhe personave tjerë shpërndarjen e filmit në rrjetin social “Facebook” dhe në grupin Manjakët e Filmit, ka kryer veprën penale cenim i të drejtave të autorit”, ka thënë prokurori Rrahmani, raporton RTK.

Avokati i Manajt, Hajdin Dërguti, i caktuar sipas detyrës zyrtare, ka thënë se nuk është pajisur me shkresat e lëndës dhe as me aktakuzën.

Andaj, pas deklarimit të të pandehurit Manaj, Gjykata ka përfunduar seancën, duke i dhënë kohë të pandehurit dhe avokatit të tij që të kundërshtojnë aktakuzën.

Filmi i metrazhit të gjatë i zhanrit komedi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” në regji të Kushtrim Bekteshit, dhe me producent Mumin Jasharin, ka qenë njëri ndër më të shikuarit në kinematë e Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.