Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Një rast i tillë u zbulua së fundmi në Prishtinë, por këtë herë i dyshuari është pjesëtar i një institucioni.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se këtë herë i dyshuar është një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili është kapur nga Policia me një sasi të narkotikëve.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari është 23-vjeçar dhe u ndalua në rrugën “Dashamir Krasniqi’ në kryeqytet, me ç’rast pasoi kontrolli policor.
Te pjesëtari i FSK-së, pas kontrollit, zyrtarët policorë gjetën një sasi të narkotikëve, të llojit marihuanë.
Droga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.