Lajme

Edhe Britania reagon për strukturat paralele: Të jenë në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës

Gazeta10
15 Janar 2025 - 19:18

Të mërkurën, në dhjetë komuna të Kosovës në jug të lumit Ibër, u mbyllën disa komuna paralele të Serbisë, si dhe zyra postare dhe tatimore që operonin në mënyrë të paligjshme.

Operacioni u krye nga Policia e Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Britania e Madhe ka shprehur shqetësimin e saj pas këtyre veprimeve, duke kërkuar që ato të jenë në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Përmes një deklarate, Mbretëria e Bashkuar theksoi rëndësinë e respektimit të nevojave të komunitetit serb në Kosovë, duke përfshirë edhe më të cenuarit, të cilët ende mbështeten në këto struktura për shërbime bazë.

“Veprimet e tilla duhet të marrin parasysh faktin se shumë serbë të zakonshëm të Kosovës mbështeten në këto institucione për shërbime,” thuhet në deklaratë.

Britania e Madhe gjithashtu bëri thirrje për angazhim konstruktiv nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë, përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se operacioni shënon fundin e epokës së komunave dhe institucioneve paralele kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.

Ai e përshkroi këtë veprim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sovranitetit dhe rendit kushtetues të vendit.

Aksionet policore u ndërmorën në komunat e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt, duke ndërprerë funksionimin e strukturave të paligjshme serbe në këto zona.

Më herët pati reagime edhe nga SHBA-ja, BE-ja dhe Gjermania.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
11 Shkurt 2025

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.