Lajme

Ekspertët: Dyfishimi i tatimit në pronë sjell pasoja të mëdha për biznese

Gazeta10
07 Nëntor 2024 - 10:01

Qeveria ka shtyrë për vitin 2026 afatin për zbatimin e tatimit për pronat komerciale. Dyfishimi i tatimit në pronë për bizneset, do të rëndojë edhe më shumë funksionimin e bizneseve në veçanti ato të voglat, thonë njohësit ekonomisë.

Është shtyrë për vitin 2026 afati i zbatimit të normës tatimore progresive për pronat komerciale, i cili parashihte që nga viti i ardhshëm të dyfishojë tatimin në pronë për bizneset.

Analisti ekonomik, Ismet Mulaj, duke folur për Radio Kosovën thotë se me dyfishim të tatimit në pronë, bizneset e mesme do të dëmtohen ndjeshëm.

“Nuk mund t’ia rritesh tatimin në pronë një biznesi që qarkullon p.sh. deri në 30 mijë euro në vit, t’ia dyfishosh tatimin në pronë, ashtu vetëm e ngulfat atë biznes. Duhet të gjendet një formë e cila bizneset e vogla i liron prej tatimit në pronë. Kosova e ka një traditë të tyre ku familjet kanë mbijetuar nga bizneset e vogla sepse ato krijojnë vende pune, e nuk mund të krijojmë biznese të mëdha sepse atëherë ato dirigjohen nga qeveritë dhe politika dhe pra shumica e ligjeve shkojnë në funksion të bizneseve të mëdha”, theksoi ai.

Edhe kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, vlerëson se ky ligj do të sjellë pasoja të mëdha për bizneset.

“Biznesi nuk është në ditët më të mira të tij, ka shumë sfida. Edhe tani jemi duke parë që kuvendi nuk është duke funksionuar, kërkesa jonë është të bëhet një plotësim ndryshim i kësaj dispozite, por të mos ngarkohen bizneset me tatim shtesë, sidomos në këtë periudhë ku me të vërtetë po ballafaqohen me shumë sfida”, tha Rafuna.

E shtyrjen e këtij vendimit e ka mirëpritur Asociacioni i Komunave të Kosovës ku dihet se Asociacioni i Komunave të Kosovës ka lobuar dhe ka argumentuar se kjo normë tatimore është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.