Kanal10 në kuadër të emisionit “Politiko” me Kushtrim Sadikun ka organizuar një forum ekonomik në Mynih të Gjermanisë me afaristë të suksesshëm nga mërgata.
Përfaqësues i fondit investiv gjerman BKI, Karl Heinze ka thënë se pret shumë nga ky forum ekonomik.
“Shumë kënaqësi që ju keni ardhur nga Prishtina në Mynih. Këtu në këtë qytet të bukur, po bashkohemi sot me këtë mot të mrekullueshëm. Pres shumë nga ky forum. Kam parë që janë rreth 10-12 persona këtu, përfaqësues të kompanive të mëdha nga Baden-Ëürttemberg dhe nga e gjithë Gjermania. Ajo që pres është të dëgjoj mendimet e këtyre njerëzve se si do të vazhdojë situata në Kosovë dhe pse duhet të bëjmë më shumë atje? Domethënë, të gjejmë më shumë investitorë dhe ta prezantojmë më mirë vendin. Ka njerëz që kanë ikur nga Kosova për në Gjermani dhe tani unë po shkoj nga Gjermania për në Kosovë. Duhet të diskutojmë për këtë, të flasim, të gjejmë pse dhe si mund të bëjmë më shumë, dhe kur diskutojmë, mund të presim rezultate. Duke parë njerëzit këtu sot, besoj se diçka mund të ndodhë dhe të realizohet”, ka thënë Heinze.
Ai tutje ka treguar edhe pse po investon në Kosovë.
“Më kanë pyetur shpeshherë: pse po investon në Kosovë? Kam treguar disa arsye, dhe i kam përsëritur ato disa herë tashmë. Kam pasur kërkesa të tjera më vonë: a mund të na ndihmosh, a njeh dikë në Kosovë, a mund të na ndihmosh të gjejmë çfarë na duhet? Gjithmonë përpiqemi të minimizojmë të gjitha sfidat e mundshme dhe ndoshta të gjejmë një kompani që të shikojë nga afër mundësitë. Është e rëndësishme që të shikojmë dhe të kuptojmë mundësitë që ekzistojnë për të investuar atje. Besoj se, edhe pse kërkon kohë dhe përpjekje, mund të arrijmë diçka. Kompanitë gjermane, pavarësisht shërbimit që ofrojnë, kanë mundësinë të bëjnë ndryshime. Po ashtu, nga Kosova për në Gjermani dhe anasjelltas, është e rëndësishme të gjejmë kompani që mund të shesin produktet e tyre në të dyja vendet. Ky është detyra jonë dhe do të punojmë për këtë. Nuk do ta arrijmë menjëherë, por do të vazhdojmë të punojmë drejt këtij qëllimi”, ka thënë ai. /GAZETA10/