Lajme

Haradinaj: Shprehja që përdori Hovenier e pazakontë, tregon dhimbjen për rrugën e gabuar që ka zgjedhur Kosova

Gazeta10
25 Shtator 2024 - 15:45

Kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri, Ramush Hardinaj, ka reaguar lidhur me një shprehej që sot ka përdorur ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, teksa ka folur për aspiratat e Kosovës për integrim në NATO dhe BE.

Haradinaj ka thënë se Hovenier është i përfshirë në çështjen e Kosovës qysh prej viteve 90-ta dhe më pas edhe në procesin e negociatave të Vjenës që kanë çuar drejt pavarësisë. Haradinaj ka shtuar se Hovenier është një top diplomat me një urtësi të madhe politike, dhe se gjithmonë ka fjalë të përzgjedhura dhe një dashuri të madhe për Kosovën dhe popullin e saj.

“Ambasadori Amerikan Jeffrey Hovenier ka qenë i kyqur në temën e Kosovës që nga lufta çlirimtare e popullit tonë e posaçërisht gjatë negociatave nën udhëheqjen e Marti Ahtisaarit. Ambasadori Hovenier shquhet si njeri me vlera të larta njerëzore, top diplomat me një urtësi të madhe politike, njerëzore dhe intelektuale. Ai ka gjithmonë fjalë të përzgjedhura dhe ka një dashuri të madhe për Kosovën dhe popullin e saj”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas Haradinaj, shprehja që Hovenier ka përdorur sot “mos urinoni në derën e klubit ku doni të hyni”, është e pazakontë dhe është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për diskursin dhe rrugën e gabuar që ka zgjedhur Kosova.

“Shprehja e tij “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni” është shprehje shumë e pazakontë e tij. Kjo shprehje e pazakontë është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën si Hovenier kjo ju dhemb. Kosova është keq dhe ka trend të përkeqësimit. Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh!”, ka përfunduar Haradinaj

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.