Deputetja e Lidhje Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar sërish për kontratat një burimore, duke thënë se numri i këtyre kontratave ka kaluar shifrën 2 mijë gjatë këtij mandati të Qeverisë Kurti.
Ajo ka paralajmëruar se kontratat e tilla janë një burim i mundshëm i korrupsionit dhe ka kërkuar që ato të auditohen.
Bajrami ka theksuar se ata që kundërshtojnë auditimin e këtyre kontratave janë të njëjtit që mbrojnë korrupsionin.
Sipas saj, nga 273 milionë euro që janë shpenzuar për kontrata sekrete gjatë këtij mandati të Qeverisë Kurti, vetëm 33.8 milionë euro janë përdorur për kontrata të negociuara nga 38 komunat e Kosovës.
“Prej 273 milionë eurove të shpenzuara me kontrata njëburimore gjatë qeverisjes Kurti II, 38 komunat e Kosovës në total kanë shpenzu vetëm 33.8 milionë euro me negociim”.
Deputetja Bajrami ka bërë thirrje për një debat të hapur dhe përballje të të gjithë kabinetit qeveritar për çështje të ndryshme që ajo i konsideron të ndjeshme.
Ajo ka listuar disa tema që duhen diskutuar, përfshirë Thesarin e Shtetit, kontratat një burimore, grurin, tenderët në KEK, çështjen e licencave të Microsoft, si dhe çmimin e energjisë elektrike.
Bajrami ka ftuar ministrat dhe zyrtarët qeveritarë të paraqiten për një debat të drejtpërdrejtë, për t’u ballafaquar.
“Caktone studion, kohën merrni vizatimet me veti unë ju pres. Ejani të ballafaqohemi!”, shkroi ajo në Facebook.