
Ndeshja kampionale mes Mallorcas dhe Cadizit është shtyrë për kohë të pacaktuar nga La Liga, të hënën.
Kjo ndeshje është dashur të zhvillohet të dielën më 12 nëntor, por Mallorca javën e shkuar kishte bërë kërkesë për shtyrjen e saj.
Arsyeja për këtë është sulmuesi Vedat Muriqi, i cili është ftuar nga Kosova për duelin me Izraelin, i cili po ashtu do të luhet të dielën dhe i takon kualifikimeve për “Euro 2024”.
Kosova me Izraelin është dashur të përballet më 15 tetor, por ndeshja ishte shtyrë shkaku i tensioneve në Lindjen e Mesme.
Kosova gjatë këtyre ditëve do ta publikojë listën e lojtarëve të ftuar për grumbullimin e nëntorit, ndërsa Muriqi do të jetë pjesë e saj.
Krahas Izraelit, Kosova këtë muaj do të përballet edhe me Zvicrën e Bjellorusinë në kuadër të Grupit I kualifikues.