Lajme

KQZ e Kosovës dhe e Shqipërisë organizojnë punëtorinë e përbashkët për shkëmbim të përvojave dhe forcim të bashkëpunimit

Gazeta10
26 Shtator 2024 - 13:41

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, së bashku me stafin e tij vizituan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se kjo vizitë i parapriu fillimit të punëtorisë së përbashkët ndërmjet të dy institucioneve në qendër të së cilës është forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe shkëmbimi i përvojave në lidhje me informimin dhe edukimin e votuesve, votimin jashtë vendit, përdorimin e teknologjisë informative në zgjedhje dhe raportimin digjital të financave të partive politike.

Në fillim të kësaj punëtorie, kryesuesi i KQZ-së së Kosovës, Kreshnik Radoniqi, vuri theksin në bashkëpunimin e mirë mes dy institucioneve, i cili në shumë raste është treguar edhe me ndihmën konkrete dhe mbështetjen logjistike.

Me këtë rast,Radoniqi kujtoi huazimin e kamerave për nevoja të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2021 dhe gjatë procesit të votimit më 21 prill 2024.

Gjithashtu, Radoniqi njoftoi edhe lidhur me ecurinë e organizimit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Ndërkaq, Celibashi theksoi se bashkëpunimi mes dy institucioneve është forcuar dhe ka dhënë rezultate të prekshme për të dy palët.

Celibashi theksoi se dy KQZ-të kanë eksperienca sa të ngjashme aq edhe të ndryshme në proceset zgjedhore, ndaj shkëmbimi i këtyre përvojave do të ndihmojë në identifikimin e sfidave dhe marrjen e masave për mirëorganizimin e proceseve zgjedhore.

Komisioneri Celibashi solli në vëmendje votimin nga jashtë të shtetasve të Kosovës, përvojë e cila do t’i shërbejë KQZ-së së Shqipërisë në përgatitjen e procesit të votimit nga jashtë të shtetasve shqiptarë në vitin 2025.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.