Lajme

Krerët e shtetit në SHBA, opozita i kritikon për mos koordinim

Gazeta10
01 Tetor 2024 - 8:48

Presidentja Vjosa Omsani, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla kanë vazhduar qëndrimin në SHBA në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në margjinat e asamblesë krerët e shtetit deri më tani kanë zhvilluar takime të ndryshme me zyrtarë të lartë amerikanë ku temë diskutimi ka qenë ndër të tjera edhe situata në veri të vendit dhe raportet Kosovë-Serbi. Deputetja e VV-së, Jeta Statovci, tha se takimet e krerëve të shtetit me zyrtar të lartë Amerikan dëshmojnë se SHBA-të pajtohen me veprimet e Qeverisë në veri të vendit.

‘’Vazhdimisht e kam thënë se ne mund të jemi të qëndrueshëm në atë që ne e përcaktojmë dhe synojmë si objektivë e cila në aspektin afatshkurta duhet të arrihet, mirëpo kjo pavarësisht se qëndrim i joni mund të jetë edhe në koordinim me akterët që ne I konsiderojmë aleat. Në qoftë se e shohim në afatgjatë ne kemi parë edhe nga ambasadorët amerikan që respekton institucionet e Kosovës, respekton legjitimitetin, sovranitetin e institucioneve të Kosovës. Si dhe pritja e fundit nënkupton edhe një mirëpritje të veprimeve të Republikës së Kosovës të cilat nuk kanë pasur të bëjnë me asgjë tjetër përpos shtrirje të legjitimitetit, sovranitetit dhe shtrirje të vlerave demokratike të cilave gardian më i madh i saj janë SHBA-të”, tha Statovci.

Në opozitë ndërkaq, kritikojnë Qeverinë se nuk po ia njohin kontributin e përkrahjes së SHBA-së në shtetndërtim. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se mos takimi i kryeministrit Kurti me sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken është dëshmi se zyrtarët amerikan nuk pajtohen me veprimet e Qeverisë në veri të vendit.

‘’Partneriteti ynë me aleatin kryesor ka qenë për të cilin është investuar gjatë dhe padyshim që të parreshtuara kanë qenë përpjekjet e Serbisë për t’i cenuar këto raporte të partneritetit. Çdo mbyllje e derës për Kosovën në SHBA i cenon raportet dhe e minimizon partneritetin dhe e largon Kosovën nga aleati i saj strategjik”, u shpreh Deliu.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, vlerëson se takimet e kryeministri Kurti në SHBA janë të nivelit të dytë dhe jo parësore që do të ndikonin në rikuperimin e raporteve Kosovë-SHBA. Megjithatë, sipas tij, Kurti pas vizitës në SHBA do të duhej që të ketë koordinim për veprimet e tij.

‘’Takimet e krerëve të institucioneve të Kosovës në SHBA janë më tepër të nivelit të dytë apo të tretë. Nuk janë takime të nivelit të lartë ashtu siç mund të paraqiten nga dikush si një lloj mbështetje për veprimet e Kosovës në politikën e brendshme që kanë njëfarë lloj ndërlidhje edhe me politikën e jashtme sepse cdo takim i krerëve të shtetit dhe veçanërisht mos takimi i kryeministrit me sekretarin Blinken apo presidentin Biden konsideroj që janë takime të nivelit të dytë apo të tretë dhe nuk konfirmojnë ndonjë progres për Kosovën. Ajo që mund të ishte progres është që në të ardhmen Kosova të filloj të ndryshojë qëndrimet e saj, të koordinoj dhe të bashkëveproj”, tha Sadiku.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në SHBA deri më tani ka takuar presidentin Joe Biden dhe sekretarin i shtetit, Antony Blinken. Ndërsa, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për një mëngjes pune janë takuar me ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien, pjesë e së cilës ishte edhe emisari i Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak. /rtv21

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.