Lajme

Kurti e njofton ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë për raportet me Serbinë

Gazeta10
01 Tetor 2024 - 15:43

Në kuadër të Forumit të Varshavës për Siguri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takimin e tij të parë bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë, Baiba Braže.

Gjatë takimit, Kurti falënderoi Letoninë për mbështetjen e saj të vazhdueshme që nga njohja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Në bisedime, të dyja palët diskutuan për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit bilateral për avancimin e interesave të përbashkëta dhe përballjen me sfidat nga regjimet autokratike.

Kurti vlerësoi pjesëmarrjen e Letonisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe diskutoi për zhvillimet rajonale dhe situatën e sigurisë në Evropë, duke u fokusuar te agresioni rus në Ukrainë.

Po ashtu, Kurti informoi ministren Braže për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë raportet me Serbinë dhe rreziqet që kjo e fundit paraqet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri përmendi gjithashtu sulmin terrorist të një viti më parë në Banjskë dhe lidhjet e afërta të Serbisë me Rusinë.

Në takim, Kurti shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ambasadori i Kosovës në Poloni, Drilon Gashi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.