Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është bashkuar valles së banorëve të tri fshatrave të Dragashit, të cilët sot kanë festuar përurimin e asfaltimit të rrugës për banorët e kësaj ane që lidhin brezin kufitar të Kosovës me atë të Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se banorët e kësaj ane “ishin të lidhur me rrugë me shumë gropa që u shkaktonte vështirësi të mëdha për qarkullim”.
“Tani lidhjen e kanë më të fortë sepse do të jenë më shpejt pranë njëri-tjetrit. Banorët e fshatrave që lidhin brezin tonë kufitar me atë të Republikës së Shqipërisë, Kërstec-Pakishtë-Zapod, nga tash e tutje do ta kenë më të lehtë qarkullimin me infrastrukturën e re rrugore të cilën e përuruam sot”, shkroi Kurti.