Lajme

Kurti: Serbia po e strehon kryeterroristin Radoiçiq, Borrelli e Lajçaku s’po e luajnë rolin e referit

Gazeta10
25 Shtator 2024 - 15:22

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ngecje në dialog, teksa ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka strehuar udhëheqësin e grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiq.

Në një intervistë për “Politico.eu”, Kurti ka fajësuar edhe diplomatët e Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak, për të cilët ka thënë që “s’po e luajnë rolin e referit kur ka shkelje”.

“Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe i financuar nga Serbia. Problemi është se zotërinjtë Borrell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil”, ka thënë Kurti.

Tutje, Kurti ka thënë se qasja e Serbisë, s’është për normalizim raportesh me Kosovën.

“Si është e mundur t’i thonë po Marrëveshjes së Ohrit, por refuzojnë ta nënshkruajnë?” ka theksuar Kurti.

Ndër të tjerash, Kurti ka dhënë detaje edhe nga takimet në dialog me Vuçiqin.

“Kur ai flet, unë s’ndërhyj. Kurdo që flas unë, ai ankohet”, ka thënë Kurti për Vuçiqin.

Ky portal, shkruan se deklarata është dhënë një ditë pasi Kurti mori pjesë në drekën e organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.