Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati, miku dhe partneri më i madh i Kosovës dhe i pazëvendësueshëm, edhe për çlirim e pavarësim, por edhe për zhvillim e demokratizim.
Këtë deklaratë Kurti e ka bërë gjatë takimit me mërgatën shqiptare në New Jersey dhe në Waterbury të Connecticut. Kurti ka thënë se diaspora luan një rol fort të rëndësishëm, si pikëlidhje e fuqishme dhe bosht kryesor i marrëdhënieve me ShBA-të.
“Qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkoi përtej takimeve bilaterale me vende mike e partnere. Mërgata e gjerë shqiptare atje, na mirëpriti në New Jersey dhe në Waterbury të Connecticut, në organizime madhështore, të mbushura me atmosferë festive e kombëtare, ku u mblodhëm për të bashkëbiseduar për të tashmen e të ardhmen e Kosovës dhe ndarë eksperiencat e përbashkëta.
Kosova është histori e dyfishtë suksesi: i intervenimit të NATO-s që e ndali gjenocidin e Serbisë si dhe rritjes ekonomike të kombinuar me progres demokratik. Për të dy këto rrëfime të suksesit, në zemër të tyre i kemi ShBA-të, që janë aleati, miku dhe partneri ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm, edhe për çlirim e pavarësim, por edhe për zhvillim e demokratizim, e me të cilët ne gjithnjë ndajmë vlera, interesa, parime dhe qëllime të përbashkëta. E diaspora jonë, luan një rol fort të rëndësishëm, si pikëlidhje e fuqishme dhe bosht kryesor i marrëdhënieve me ShBA-të.
Mirënjohje për Kryetarin e Qytetit të Waterbury Paul K. Pernerewski Jr., nga i cili pata nderin edhe të pranoj Çelësin e Qytetit, si dhe për Senatorin amerikan Richard Blumenthal, për fjalët e tij sa të fuqishme aq edhe përkrahëse mbi përkushtimin e ShBA-ve ndaj Kosovës dhe mbështetjen e pareshtur, e prezencën e ambasadorit e mikut të përjetshëm të popullit tonë liridashës, William Walker”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.
Kurti ka udhëtuar për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), më 25 shtator.
“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Me kreun ekzekutiv për vizitë zyrtare është duke qëndruar edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.