Më shumë se 2 mijë e 800 kërkesa janë dorëzuar deri më tani në të gjithë Kosovën për konvertimin e patentë-shoferëve ilegal në Kosovë, apo njohur ndryshe si patentë-shoferët serbë në Kosovë.
Kjo është konfirmuar nga Policia e Kosovës.
Sipas të njëjtëve, më së shumti kërkesa janë paraqitur në veri të Kosovës, 2 mijë e 426 gjithsej.
Mitrovica veriore prinë sa i përket numrit.
“Ne Leposaviq janë dorëzuar 752 kërkesa, në Mitrovicën e Veriut 753, 426 në Zubin Potok dhe 495 kërkesa në Zvecan”,u theksua nga Policia.
Ndërsa sa i përket komunave të tjera ku po ashtu ka serbë të cilët jetojnë dhe veprojnë u bë e ditur se në Gjilan numri i atyre që kanë bërë kërkesë për konvertim të patentë shoferëve është 30.
Në Dragash 4, 8 në Istog, 5 në Fushë-Kosovë, 42 në Kamenicë, 25 në Mitrovicën Jugore, 10 në Lipjan, 10 në Novobërdë, 22 në Obiliq, 5 në Rahovec, 23 në Pejë, 5 në Prishtinë, 22 në Prizren, 1 në Shtime, 39 në Shtërpcë, 123 në Graçanicë dhe të tjera…
Saktësisht numri i përgjithshëm i kërkesave të dorëzuara është 2827, transmeton lajm.
Ndryshe Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur në fillim të muajit maj që të hapë mundësinë e konvertimit nga patentë shoferët serbe të lëshuara për qytetarët në Kosovë të cilat janë të paligjshme, në patentë shoferë kosovarë.
Vendimi hyri në fuqi më 9 maj. Kjo mundësi do të jetë e hapur për tre muaj, saktësisht deri më 9 gusht.
Pas skadimit të këtij afati, siç është paralajmëruar në Kosovë nuk do të mund të vozitet më me leje serbe që janë lëshuar më parë.