Lajme

MPB-ja merr vendimin, do të regjistrohen faktet e gjendjes civile

Gazeta10
29 Nëntor 2024 - 12:37

Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar vendimin përmes të cilit u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët siç tha ministria, kanë regjistruar faktet e gjendjes së tyre civile në strukturat ilegale e paralele serbe gjatë periudhës nga 10 qershori 1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të aplikojnë për regjistrimin e këtyre fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.

MPB-ja tha se ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të ligjshmërisë për formalizimin e statusit civil të qytetarëve në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

“Procesi i regjistrimit do të kryhet nga Agjencia për Regjistrimin Civil dhe do të jetë i hapur nga data 1 shkurt 2025 deri më 30 prill 2025. Për të aplikuar, qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës në bazë të llojit të faktit që synojnë të regjistrojnë”.

“Në periudhën e ndërmjetme, nga dhjetori i këtij viti deri më 1 shkurt 2025, do të zhvillohen dhe sesione të ndryshme informuese për të gjithë qytetarët, për t’i ndihmuar dhe asistuar në këtë proces. Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo mundësi për të rregulluar statusin e tyre civil”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj ministrie.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.