Gjykata e Apelit pezulloi sot ekzekutimin e vendimit me burg duke lënë të lirë nënën lehonë, Diana Bahçja, e cila u arrestua 8 ditë pasi solli në jetë foshnjën e saj.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurori Endrit Bimi është shprehur se, është dakord që të revokojë akuzën ndaj nënës lehonë, nëse do të paguhet gjoba prej 250 mijë lekësh.
Pasi avokati i nënës lehonë ka deklaruar se do të gjejë lekët për paguar gjobën prej 250 mijë lekësh, prokurori Endrit Bimi i ka kërkuar gjykatës që të lirojë nënën lehonë dhe t’i japë kohë që të paguajë gjobën.
Nëna lehonë u lirua nga qelia me vendim të gjyqtarit Ardit Mustafaj, me kushtin për të paguar gjobën. Seanca e ardhshme u la për më 14 prill, ora 10:00, raporton Atsh.
Në një prononcim për mediet, pas marrjes së vendimit, avokati i Diana Bahçjes, u shpreh se, gjobën e mbetur do ta shlyejnë njerëzit e ndryshëm që janë vetofruar për ta ndihmuar nënën lehonë në mënyrë që të kthehet te fëmija. /Gazeta10/