Policia ka arrestuar në pikën kufitare në Morinë një shtetas nga Kosova, Burim Bajrami, i cili është dënuar me 6 vite burg për trafik droge nga Gjykata e Gostivarit.
Sipas policisë, nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur rreth 1 vit e gjysmë burgim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Maqedoninë e Veriut, vijon procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte në kërkim ndërkombëtar, i dënuar në RMV, me 6 vjet burgim, për trafikim të narkotikëve, arrestohet me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari nga Kosova.
Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.