
KQZ fillon vlerësimin e zarfeve me vota të diasporës e 9 komuna përfundojnë numërimin e votave të kandidatëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se në nëntë komuna është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike. Ndërsa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 29 qendra të tjera komunale të numërimit.
Elezi bëri të ditur se pas përfundimit të numërimit në 29 komuna, materialet zgjedhore do dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku do të nisë skanimi i listave të votuesve.
“Është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, në 9 Qendra Komunale të Numërimit. Qendrat Komunale të Numërimit të cilat kanë përfunduar këto aktivitete janë Junik, Shtërpcë, Hani i Elezit, Partesh, Mamushë, Zubin Potok, Zveçan, Kllokot dhe Novobërdë. Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 29 QKN-të tjera. Sipas të dhënave deri më tani (9 qershor 2026, ora 17:00) numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 38 QKN-ve, është 902 nga 2,498 vendvotime apo mbi 36 përqind. Qendrat Komunale, të cilat kanë përmbyllur procesin e numërimit dhe verifikimit, do të dorëzojnë materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Në QNR së shpejti do të fillojë skanimi i Listës së Votuesve nga vendvotimet e rregullta nga disa prej komunave që tashmë kanë përfunduar punën QKN dhe që kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Skanimi i listës së votuesve që është përdorur në vendvotime është i domosdoshëm para se të fillohet me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse i ndihmon KQZ-së të sigurohet se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht”, tha Elezi.
Po ashtu është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës përmes postës nga 23 shtete.
KQZ ka filluar me vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.
Sipas Elezit, Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës.
Pakot që aprovohen do të përfshihen në procesin e numërimit, pas disa ditësh.
“Gjatë ditës së hënë, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime ëshë bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 23 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellë në Kosovë. Gjatë pasdites së sotme KQZ ka filluar me vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës. Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Pakot që aprovohen do të përfshihen në procesin e numërimit, pas disa ditësh”, tha ai.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë në zgjedhjet e 7 qershorit ka dalë LVV me 42,95% ose 299,328 vota, PDK e dyta me 21,14% ose 147,292 vota, LDK e treta me 17,60% ose 122,659 vota dhe Aleanca e katërta me 7,16% ose 49,913 vota.
Në zgjedhjet e 7 qershorit sipas KQZ-së është dalja më e ulët e qytetarëve në zgjedhje, krahasuar me dy palë zgjedhje parlamentare të vitit 2025.