
Pas një përfundimi dramatik në edicionin e kaluar, Dukagjini u pozicionua vendin e pestë në tabelë, kështu duke siguruar kualifikimet për grupet e Ligës së Konferencës.
Klinasit aventurën evropiane e filluan në turin e parë kualifikues, aty ku u sfiduan nga skuadra nga Gjibraltari, Europa FC.
Pas dy ndeshjeve, Dukagjini triumfoi me rezultat të përgjithshëm 5-3, me ç’rast u kualifikua për fazën tjetër.
E aty e pret një kundërshtar shumë më i vështirë e më me përvojë.
Të drejtuar nga Armend Dallku, Dukagjini në dy ndeshje do të ketë punë me Rijekan e Kroacisë. Ndeshja e parë do të luhet në “Fadil Vokrri” më 27 korrik, gjersa ajo kthyese në “Stadium Rujevica” më 3 gusht.
Meqë ra fjala te klubi kroat, flasim pak për historinë e tyre.
HNK Rijeka është një klub i themeluar fillimisht në vitin 1904, mirëpo pas disa probleme politike me kufi, ajo shpesh edhe i ndërroi emrat, me klubin që përfundimisht u emërua HNK Rijeka në vitin 1995.
Ky klub garat i zhvillon në Superligën e Kroacisë, e njohur edhe si SuperSport HNL.
“Të bardhët e Rijekas”, ashtu siç njihen në Kroaci, ndeshjet e tyre i luajnë në stadiumin “HNK Rijeka Stadium Rujevica”, i cili ka kapacitet prej 8 mijë ulësesh.
Sezonin e kaluar, Rijeka zuri vendin e katërt në tabelë dhe kësisoji siguroi plasmanin në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Ndërsa, sezoni i ri në elitën e futbollit kroat tashmë veç ka filluar, me Rijekan që në ndeshjen e parë shënoi fitore prej 4-0 ndaj Rudes.
Prej sezonit aktual, kalojmë te statistikat e këtij klubi në Evropë, të cilat në krahasim me Dukagjinin ose ndonjë klub në Kosovë janë ‘vite dritë’ larg.
Në përgjithësi, Rijeka ka zhvilluar 98 ndeshje në kompeticionet evropiane, prej tyre duke arritur 35 fitore, ndërsa ka pësuar 38 disfata. 25 ndeshje të Rijekas në Evropë kanë përfunduar me rezultat të barabartë.
Arritja më e madhe e klubit në arenën ndërkombëtare është arritja e çerekfinales në European Cup Winners’ Cup në sezonin 1978-79, duke u mposhtur nga Juventusi 2-0 pas dy ndeshjeve.
Rijeka ishte kualifikuar për grupet e Ligës së Evropës dy herë radhazi (2013-14 dhe 2014-15), gjersa në grupe të këtij kompeticioni u kualifikuan edhe në sezonet 2017-18 dhe 2020-21.
Në historinë e saj, Rijeka numëron 9 trofe. Një herë Rijeka ka dal fituese e kampionatit elitar në Kroaci në sezonin 2016-17, gjashtë herë ka triumfuar në Kupën e Kroacisë, si dhe dy herë në Kupën jugosllave.
Vlera e klubit sipas Transfermarkt kap shifrën e 29 milionë eurove, gjersa Dukagjini arrin shifrën e 2 milionë eurove.
Lojtari më i vlefshëm i Rijekas është Matija Frigan, 20-vjeçar, me vlerë më të lartë në treg se i gjithë ekipi i Dukagjinit. Sulmuesi kroat ka vlerë prej 3.50 milionë euro.
Për këtë sezon, Rijeka është përforcuar me disa lojtarë, ndër ta Toni Fruk, Niko Jovanovic, Stjepan Radeljic, Marijan Cabraja e Dejan Petrovic.
Top golashënuesi i klubit kroat gjatë edicionit të kaluar ishte Frigan me 15 gola, i ndjekur nga Prince Ampem me 5 gola.