Pas një sulmi masiv me raketa balistike nga Irani drejt Izraelit, dy rivalët e kanë këcërnuar njëri-tjetrin me sulme të tjera, duke shtuar frikën për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.
Forcat Revolucionare të Iranit kërcënuan se do të kryejnë “sulme shkatërruese” ndaj Izraelit, nëse ky i fundit reagon ndaj sulmit të 1 tetorit nga Republika Islamike.
“Nëse regjimi zionist reagon ndaj operacioneve iraniane, do të përballet me sulme shkatërruese”, tha Trupi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në një deklaratë të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars.
Ndërkohë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se sulmi me raketa i Iranit ishte serioz dhe do të ketë pasoja, duke shtuar se nuk do të specifikonte se si dhe kur do të përgjigjej Izraeli.
Hagari tha se nuk ishte në dijeni për ndonjë viktimë nga sulmi nga Irani me raketa. Ai theksoi se kishte disa shpërthime në pjesët qendrore dhe jugore të Izraelit.
“Ne jemi në gatishmëri të lartë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, tha Hagari në një transmetim televiziv. “Ne do të mbrojmë qytetarët e shtetit të Izraelit. Ky sulm do të ketë pasoja. Ne kemi plane dhe do të veprojmë në vendin dhe kohën që ne do të vendosim”.
Irani lëshoi një sërë raketash balistike ndaj Izraelit të martën si përgjigje ndaj fushatës së Izraelit kundër aleatëve të Teheranit në Liban, Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo partinë e tij politike, e cila ka vende në parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinez, Hamas, është shpallur organizatë terroriste edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja.
Alarmet ranë në të gjithë Izraelin dhe shpërthime u dëgjuan në Jeruzalem, ndërkohë që banorët e Izraelit u udhënzuar të strehoheshin në vende të sigurta.
Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar më herët për një sulm të mundshëm me raketa ballistike iraniane ndaj Izraelit dhe thanë se do të kishte pasoja “të rënda” për Teheranin.
Më herët më 1 tetor, ushtria izraelite tha se kishte nisur sulme “të shënjestruara dhe precize” brenda Libanit në atë që e quajti një “inkursion të kufizuar” tokësor që filloi gjatë natës, duke shtuar se trupat e saj ishin të angazhuara në “luftime të ashpra” me Hezbollahun e mbështetur nga Irani./REL