10 klube nga gjitha trojet shqiptare kanë marrë pjesë në fazën e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës.
Situatë më e dobët ka qenë në kompeticionin e Ligës së Kampionëve, aty ku tri klubet pjesëmarrëse (Struga, Ballkani dhe Partizani) u eleminuan pas dy ndeshjeve.
Kampioni i Shqipërisë, Partizani pati punë me BATE Borisov të Bjellorusisë. Klubi tiranas pësoi humbje në ndeshjen e dytë 2-0 si mysafir, pasi të parën barazoi 1-1 në “Air Albania”.
Me humbje në ndeshjen e dytë u njoftua edhe klubi triumfues në ligën elitare të Maqedonisë së Veriut. Struga në këtë fazë kishte punë me Zalgirisin lituanez, nga i cili u mposht me rezultat 2-1. Ndeshja e parë e luajtur në Vilnius përfundonte pa gola.
Ndërkohë, 2 herë kampioni i Kosovës, Ballkani i Suharekës zhgënjeu me paraqitjen e tij në Bullgari. Të besuarit e Ilir Dajës pasi siguruan fitore historike në “Fadil Vokrri” me rezultat 2-0 ndaj Ludogorets, në ndeshjen e dytë treguan komplet fytyrë tjetër. 12 herë kampioni i Bullgarisë, Ludogorets, së bashku me Tekpetey në top-formë, triumfuan bindshëm ndaj Ballkanit, me rezultat 4-0.
Ndonëse u eleminuan nga garat e Ligës së Kampionëve, këto tri klube do të vazhdojnë të luftojnë për një vend në Ligën e Konferencës. Në rrethin e dytë kualifikues të kompeticionit të tretë nga rëndësia, Struga do të luajë me Buducnostin, Ballkani me Larne, gjersa Partizani me Atletic Escaldes.
Kthejmë sytë pak nga kualifikimet e Ligës së Konferencës, aty ku gjërat qëndrojnë pak më mirë. Nga 7 klube shqiptare gjithsej që zhvilluan garat në turin e parë kualifikues të UECL, tri klube arritën kualifikimin për fazën tjetër.
Nga Kosova, në këtë garë u paraqitën Dukagjini dhe Gjilani.
Klinasit në debutim në garat evropiane arritën të eleminojnë Europan me rezultat të përgjithshëm 5-3. Në fazën tutje, djelmoshat e Armend Dallkut përballë do të kenë Rijekan e Kroacisë.
Ndërkohë, Gjilani përsëri dështoi të kalojë fazën e parë kualifikuese. Pasi u mposhtën herën e kaluar nga Liepaja, gjilanasit këtë edicion pësuan nga Progres Niedercorn. Këta të fundit siguruan fitore të madhe prej 2-0 në “Fadil Vokrri”, pasi ndeshja e parë përfundoi 2-2.
Klubet nga Shqipëria që bën pjesë në kualifikueset e këtij kompeticioni ishin: Tirana, Vllaznia dhe Egnatia.
Tirana, si nënkampione, ngadhënjeu ndaj Dinamo Batumi, duke triumfuar në tokën gjeorgjiane 2-1, pasi ndeshja e parë u mbyll me shifrat 1-1. Mirëpo, klubin kryeqytetas e pret një kundërshtar shumë i vështirë. Të drejtuar nga Orges Shehi, në fazën tjetër, Tirana do të luajë ndaj gjigantit turk, Besiktas.
Pasi në ndeshjen e parë pësoi disfatë 3-1 në Irlandën Veriore nga Linfield, Vllaznia fitoi në ndeshjen e dytë, mirëpo e pamjaftueshme për të kthyer rezultatin. Shkodranët fituan 1-0 me golin e shënuar nga Bekim Balaj, teksa me kaq i përfundon aventura evropiane skuadrës së Vllaznisë.
Dramë, gola, vazhdime e penalti pati në ndeshjen e Egnatias ndaj Ararat-Armenias. Rrogozhinasit në ndeshjen e parë si mysafir barazuan 1-1, me një gol të shënuar në minutat e fundit. Këto situata nuk munguan as në ndeshjen e dytë. Me një gol në minutën e 120+4’, Egnatia siguroi penaltitë, por fati iu mungoi dhe kështu synimi për kalimin në fazën tutje përfundoi aty.
Në këtë fazë garash morën pjesë edhe Shkëndija e Shkupi.
Kjo e para nuk arriti të kompletojë pritshmëritë, kësisoji duke u mposhtur pas penaltive nga Haverfordwest i Uellsit. Me këtë humbje, trajneri Ardian Nuhiu do të rikthehet në Tetovë dhe do të fillojë përgatitjet për sezonin e ri në elitën e futbollit maqedonas më herët seç e kishte menduar.
Ndërkohë, Shkupi u tregua shumë i fortë për Hegelmannin lituanez. Të drejtuarit nga turku Arslan, shkupjanët në ndeshjen e parë ‘shkatërruan’ lituanezët duke i mposhtur 5-0, gjersa ndeshja e dytë përfundoi pa gola. Në fazën tjetër, Shkupi do të luajë ndaj Levski Sofia.
Nga turi i dytë kualifikues në Ligën e Konferencës, garat do t’i nisë edhe skuadra e Dritës. Nënkampioni kosovar, nën urdhërat e trajnerit grek, Akis Vavalis, do të udhëtojë më 27 korrik në “Doosan Arena” për t’u përballur me Viktoria Plzen. Një javë më pas, çekët do të vizitojnë “Fadil Vokrrin” për ndeshjen e dytë të kësaj përballje.