Lajme

“Pjesën më të madhe të punës e kryen dëshmorët”, Kurti e Konjufca bëjnë homazhe te varret e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut

Gazeta10
02 Nëntor 2024 - 15:10

Në 35-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, kryeministri Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bënë homazhe pranë varreve të tyre në Velani.

Kurti kujtoi ngjarjen e ndodhur 35 vjet më parë, luftimet që kishin zgjatur mbi gjashtë orë në lagjen e kryeqytetit, saktësisht në Breg të Dellit, ku luftuan Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, derisa ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për dëbimin e forcave okupatore e armike serbe nga atdheu ynë.

“Në Kosovë po fillonte aparteidi i Serbisë pas okupimit klasik që e pasoi heqjen edhe të asaj autonomie që kishim, ndërkaq Evropa po çlirohej sepse një javë më vonë do të shembej muri i Berlinit. Kur Evropa po çlirohej nga diktatura dhe po bashkohej, në Kosovë po niste aparteidi. Ato kanë qenë rrethana tejet të vështira, të paimagjinueshme për neve sot dhe në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë, luftëtarët më të paepur dhe heronjtë e popullit tonë, çfarë janë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe shumë e shumë të tjerë pastaj që do të vazhdojnë rrugën e tyre deri tek kryengritja gjithëpopullore e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha ai.

Në shënim të 35-vjetorit të rënies se tyre, ai theksoi se ne “nuk e harrojmë asnjëherë prej nga vijnë, dhe njëkohësisht nuk e harrojmë që pjesën më të madhe të punës dhe kryesore e kanë kryer dëshmorët e kombit”.

“Ndërkaq, neve të tjerëve na ka mbetur një pjesë e rëndësishme e punës, por megjithatë shumë më e vogël sesa e tyre, por ajo çfarë duhet të bëjmë tash, është që të japim maksimumin me krejt çka mundemi e dimë në rrugën që na kanë ndriçuar ata”, tha Kurti.

Ndërkaq, kryeparlamentari Konjufca tha se liria e Kosovës erdhi sepse kishte çlirimtarë si Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, duke lënë porosinë e qartë se më “mirë të vdiset me armë në dorë kundër Serbisë okupatore, se sa të jetohet në robëri”.

Kreu i Kuvendit tha se Afrimi e Fahriu “jo vetëm që ishin çlirimtarë e luftëtarë, por edhe intelektualë të mëdhenj”.

“Veprat e tyre, shkrimet e tyre, mendimi i tyre politik na frymëzon edhe sot e kësaj dite, sepse është mendim politik çlirimtar, është mendim politik i vetëdijes së lirisë. Ata përmes sakrificës së tyre sublime, duke dhënë edhe jetën për atdhe, lanë amanetin për çlirimtarët e ardhshëm. Duke e dhënë shembullin e tyre ideal, përmes dhënies së jetës, u bënë pararendës të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj do të kujtohen e do të nderohen gjithmonë nga institucionet dhe populli i Kosovës”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.