Lajme

Policia: Motivi i sulmit ndaj Gazmend Muhaxherit nuk dihet ende

Gazeta10
27 Tetor 2024 - 10:06

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për sulmin ndaj kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Policia në raportin 24 orësh thotë se motivi i rastit ende nuk dihet.

Të dyshuarit janë në mbajtje derisa rasti po hetohet.

“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR & LËNDIM I LEHTË TRUPOR- Pejë / 26.10.2024 – 08:40. Dy meshkuj kosovarë (njëri prej tyre kryetari i komunës së Pejës) derisa ishin duke ecur në rrugë janë sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë me ç ‘rast viktimat kanë pësuar lëndime trupore. Pas një pune hetimore dy të dyshuarit janë lokalizuar dhe arrestuar nga Policia. Motivi i rastit nuk dihet. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti si dhe dy të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. Rasti është nën hetime.”

Dukagjin Kërveshi, avokat i Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, gjatë ditës së shtunë ka thënë se Muhaxheri kishte duke pirë kafe në Pejë me një familjar të tij dhe se në largim e sipër është sulmuar nga dy persona.

Sipas Kërveshit, Muhaxheri ka deklaruar në Polici se beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare.

“Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si “Qendra Zejtare” pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare”, ka thënë avokati Kërveshi.

Reagime të shumta nga të gjitha partitë erdhën për sulmin ndaj Muhaxherit. Sulmin e dënoi edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.