Lajme

Rama: Kurti është i interesuar për një fraksion brenda VV-së, një PSD të dytë

Gazeta10
16 Shkurt 2023 - 22:51

Analisti politik, Fidan Rama ka komentuar në emisionin Politiko ‘’përçarjen’’ brenda partisë politike, Lëvizjes Vetëvendosje pas deklaratave të sotme të deputetit të kësaj partie, Haki Abazit dhe shkarkimit të tij nga posti i kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme.

Rama, ka thënë se kjo mos-marrëveshja mes deputetëve të VV-së është një strategji e Kurtit për të krijuar një PSD të dytë në vend, sepse sipas tij kjo e forcon pushtetin e kryeministrit aktual dhe ia rrit votat, raporton Gazeta10.

“Ekziston edhe një grup prej 5-6 deputetësh në VV që tash e një kohë kanë problem me qasjen e z.Kurtit që ne po i flasim por edhe politika zhvillimore brenda vendit. Kodi civil është justifikim i kolegëve këtu, pretekst për të thënë se ky po i largon që s’po votojnë. Nuk është ashtu, të njëjtit kanë edhe probleme tjera duke nisur edhe nga ndërhyrjet, përcaktimet, pabarazia brenda, mos funksioni si deputet i lirë, të gjitha këto paraqesin një grup që për këta koka normal, që për një demokraci normale kjo nuk mund të quhet kështu. Sepse e thash edhe një herë që deputeti është i zgjedhur që t’i jap përgjigje qytetarëve që e kanë zgjedhur dhe jo Albin Kurtit. Sot e ke të pamundur me bë këtë. Ky grup si Haki Abazi dhe të tjerët ka nevojë mos pajtimi brenda, më shumë e shoh si strategji të z.Kurti sepse unë besoj se i njëjti ka nevojë për një PSD të dytë brenda VV-së. Sot siç po i shoh zhvillimet i njëjti është i interesuar për ta pasur një fraksion të ri, një PSD të dytë. Kjo është forma që e rrit Kurtin, ia rrit fuqinë dhe ia rrit votat.”, ka deklaruar Rama.

Tutje, Rama ka komentuar edhe deklaraten e deputetit Abazi të dhënë sot se ekzistojnë video-incizime për zhdukjes e mostrave të Astrit Deharit, duke thënë se rasti i Deharit, është keqpërdorur shumë për poenta politike dhe duhet të ndalohet përgjithmonë një gjë e tillë.

“Dhe përdorimi i emrit të Deharit që jo pak është përdorur në aspekte politike duhet të ndalet një herë e përgjithmonë që të përdoret si instrument politik. Pak fjalë edhe për babain e Astrit Deharit i  cili më shumë foli për aspektin politik të paraqitjes së z.Abazi se sa për deklaratën e tij që ekziston një video ku flitet për zhdukjen e mostrave. Pra në këtë rast z.Dehari duhet të jetë më i përqendruar në idenë se ekziston diçka që mund të ketë quar në prishjen e hetimeve për të vërteten për vdekjen e djalit të tij, se sa të merret me politikën.”, ka deklaruar Rama.

Gjatë ditës së djeshme, Gazeta10 me burime të sigurta raportoi se brenda VV-së ishte kërkuar shkarkimi i Haki Abazit, pas kësaj reagoi edhe Abazi i cili e paralajmëroi konferencën e sotme  dhe disa video-incizime për skandale.

Abazi, njihet si një deputet i cili që një kohë të gjatë del kundër qëndrimeve të partisë së tij.

Por, sot partia të cilës i përket ai e shkarkoi nga posti i kryetarit që e mbante në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.