Deklarata e deputetit të partisë në pushtet, Haki Abazit se ekzistojnë video-incizime lidhur me humbjen e mostrave të rastit të Astrit Deharit, ‘’trazoi ujërat’’ sot në opinionin publik të vendit, raporton Gazeta10.
Për këtë pati reagime të shumta, nga më të ndryshmet përfshirë edhe institucionet e vendit, ku sistemi i drejtësisë menjëherë u hodh në punë dhe tha se të martën do të intervistohet deputeti Abazi lidhur me deklaratën e tij.
Për këtë ‘’mollën e sherrit brenda VV-së’’, analisti politik, Fidan Rama në “Politiko” tha se deputeti Abazi nga sot duhet t’a dijë që fjala e tij ka qenë publike dhe të mbajë përgjegjësitë, duke theksuar se nëse kjo deklaratë ka qenë jo e vërtetë ai duhet të ndjeket penalisht nga Prokuroria.
“Abazi, ka filluar që një kohë që ta shpreh një pakënaqësi për zhvillimet brenda që po ndodhin në VV dhe me pozicionin e tij karshi partisë. Në këtë prizëm unë nuk e kisha lidh deklarimin e tij të sotëm me video dhe audo incizimet me idenë e shkarkimit të tij që ka pasur në komision. S’qon shumë peshë që me dhanë një përfundim që ky po e bën kryekëput për shkak se është shkarkuar nga një pozicion në komision, kjo lihet si anash. Po z. Abazi duhet ta dijë nga dita e sotme se ka dalur ka folur publikisht dhe ka marrë një përgjegjësi publike që mund të jetë penale e ligjore, për të cilën prokurori ka nisur me reagu dhe duhet të intervistoj Abazin. Abazi jam i bindur që i ka dëgjuar vetë videot, dhe s’ka dal konferencë me thanë që ia ka tregu dikush. Pra besoj që ai din diçka më tepër që duhet ta shfaq në ditët e ardhshme ose do të jetë nën përgjegjësin e tij ligjore, nëse Prokuroria s’gjen diçka ai duhet të ndjeket për mashtrim. Sepse s’janë deklarata të lehta, sepse prek në një fatkeqësi të një familje si rasti Dehari. “, ka thënë Rama.
Tutje, analisti Rama ka thënë se rasti i Astrit Deharit, është keqpërdorur shumë për poenta politike dhe duhet të ndalohet përgjithmonë një gjë e tillë.
“Dhe përdorimi i emrit të Deharit që jo pak është përdorur në aspekte politike duhet të ndalet një herë e përgjithmonë që të përdoret si instrument politik. Pak fjalë edhe për babain e Astrit Deharit i cili më shumë foli për aspektin politik të paraqitjes së z.Abazi se sa për deklaratën e tij që ekziston një video ku flitet për zhdukjen e mostrave. Pra në këtë rast z.Dehari duhet të jetë më i përqendruar në idenë se ekziston diçka që mund të ketë quar në prishjen e hetimeve për të vërteten për vdekjen e djalit të tij, se sa të merret me politikën.”, ka deklaruar Rama.
Gjatë ditës së djeshme, Gazeta10 me burime të sigurta raportoi se brenda VV-së ishte kërkuar shkarkimi i Haki Abazit, pas kësaj reagoi edhe Abazi i cili e paralajmëroi konferencën e sotme dhe disa video-incizime për skandale.
Abazi, njihet si një deputet i cili që një kohë të gjatë del kundër qëndrimeve të partisë së tij.
Por, sot partia të cilës i përket ai e shkarkoi nga posti i kryetarit që e mbante në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme./Gazeta10