Lajme

Raporti i DASH-it, Tahiri: U vërtetua ajo që PDK thotë vazhdimisht se “në qeverinë Kurti ka korrupsion serioz”

Gazeta10
23 Prill 2024 - 13:34

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka vërtetuar atë që ata si parti e thonë, se në qeverinë Kurti ka korrupsion serioz.

Tahiri ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës tash e sa kohë ka ngritur shqetësimin për skandalet e kësaj qeverie.

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e vërtetoi atë që jemi duke e thënë vazhdimisht ne si Parti Demokratike – në Qeverinë Kurti ka korrupsion serioz qeveritar.

Tash e sa kohë, ne e kemi ngritur problemin e shumë skandaleve të korrupsionit të Qeverisë Kurti – prej skandalit të rezervave shtetërore e deri te kontratat njëburimore në vlerë prej mbi 200 milion eurove”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Sipas tij, partia në pushtetit vazhdimisht ka refuzuar kërkesat e kësaj partie për themelimin e komisioneve hetimore, e që sipas tij kjo i shton edhe më shumë dyshimet për këto, siç i quan ai skandale të kësaj qeverie.

“Fakti që Vetëvendosja në vazhdimësi ka refuzuar kërkesat tona për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare, i shtonte dyshimet se sa thellë ishin zhytur në këto skandale. Tani, raporti i Departamentit të Shtetit vetëm se i vërtetoi këto dyshime”, shkroi shefi i grupit parlamentar të PDK-së në Facebook./Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.