
Analisti politik Selatin Retkoceri, në një intervistë për emisionin Gazeta në Kanal 10, ka deklaruar se skena politike në Kosovë nuk ka pësuar ndryshime të mëdha dhe se koalicioni i VV–së mbetet praktikisht i njëjtë me atë që ishte më herët.
Sipas Retkocerit, deri tani nuk është parë ndonjë koalicion mes LDK-së dhe PDK-së, përveç disa individëve të caktuar që i janë bashkuar listave të parapara nga subjektet politike. Ai theksoi se nuk vërehen përgatitje serioze për zgjedhjet e ardhshme.
“Mendoj që koalicioni është ai që ka qenë edhe më herët. Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh, përveç lëvizjeve të disa individëve. Përgatitje të qarta për zgjedhje nuk po duken,” u shpreh Retkoceri.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për situatën brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku sipas burimeve të tij, ka mungesë të theksuar të buxhetit, gjë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor.
“Sipas burimeve brenda KQZ-së, thuhet se ka mungesë buxheti, dhe kjo është një paralajmërim i keq. Ekziston mundësia që për shkak të mungesës së fondeve të mos mbahen zgjedhjet ose të shtyhen me qëllime të caktuara,” tha ai.
Retkoceri shprehu shqetësim se çdo prolongim i zgjedhjeve do të ishte i dëmshëm për vendin, duke uruar që një situatë e tillë të mos ndodhë.
“Urojmë të mos ketë prolongim apo mosmbajtje të zgjedhjeve,” përfundoi analisti.