Lajme

Shteti vitin e kaluar lidhi 9 kontrata për karburante në vlerë prej mbi 25 milionë euro

Gazeta10
02 Nëntor 2024 - 13:42

Institucionet e Kosovës vitin e kaluar kanë lidh 9 kontrata publike për furnizim me karburante që kapin vlerën e parashikuar prej 25,415,187.

Gazeta10 ka parë të nëntë kontratat e lidhura në emër të shtetit nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP).

Pikërisht shpenzimet për karburante u bënë ‘sebep’ qe dje deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe ministri i Financave, Hekuran Murati përmes disa statuseve të ‘përplasen’ rreth vlerës së shpenzuar në karburante gjatë vitit 2023.

Fillimisht, e gjithë kjo ndodhi kur deputetja Hykmete Bajrami, citoi raportin zyrtar të Zyrës Kombëtare të Audimit, i cili tregonte se Qeveria ka shpenzuar 31 milionë euro për karburante.

Ministri Hekuran Murati reagoi duke e quajtur këtë si lajm të rremë, anipse në fund të reagmit të tij thotë se ‘duhet të jetë përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku pastaj hyjnë edhe nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit’.

Pas disa shkëmbime statusesh mes Muratit e Bajramit, Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka dërguar email kësaj të fundit, me Raportin e korrigjuar ku tha se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim dhe shtoi se shpenzimet e karburantit të veturave zyrtare janë 10,471,000 euro.

Shifrën e njëjtë gjatë ditës e përmendi edhe Ministri Hekuran Murati.

Kontratat për karburante të lidhura vitin 2023

Gazeta10 ka kalkuluar vlerën e tërësishme të parashikuar të kontratave të lidhura për karburante gjatë vitit 2023 pë automjete, ngrohje e gjeneratorë dhe për nevojat tjera të intitucioneve.

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) në emër të institucioneve të Kosovës gjatë vitit 2023 ka lidh nëntë kontrata publike për furnizim me karburante.

Vlera parashikuar e tërësishme e 9 kontratave arrin në 25,415,187, raporton Gazeta10.

Kohëzgjatja e nëntë kontratave është një vjeçare.

Në vijim ju sjellim kontratat e lidhura me vlerën e saktë të secilës kontratë

Kontrata – Furnizim me karburante për nevojat e Policisë së Kosovës – Lot 1 – në vlerë prej 4,599,710 euro

Kontrata – Furnizim me karburante për vetura për nevojat e Institucioneve të Nivelit Qendror – Lot 2 – në vlerë prej 2 681,750 euro

Kontrata – Furnizim me karburante për nevojat e FSK-së – Lot 3 – në vlerë prej 2,298,683 euro

Kontrata – Furnizim me karburante për Rajonin e Prishtinës – Lot 5 – në vlerë prej 2,620,482 euro

Kontrata – Furnizim me karburante për Rajonin e Prizrenit – Lot 6 – në vlerë prej 864,626 euro

Kontrata – Furnizim me karburante për Rajonin e Pejës dhe Gjakovës- Lot 7 – në vlerë prej 1,656,774 euro

Kontrata – Furnizim me karburante për Rajonin e Ferizajit dhe Gjilanit – Lot 8 – në vlerë prej 1,674,254 euro

Kontrata – Furnizim me karburante për Rajonin e Mitrovicës Lot-9 – në vlerë prej 851,084 euro

Kontrata – Furnizim me karburante për nxemje, gjenerator dhe rezervuar për nevojat e institucioneve publike të Nivelit Qendror – në vlerë prej 10,167,824 euro.

Si ndodhja ‘përplasja’ Bajrami- Murati dhe korrigjimi i raportit të Zyrës Kombëtare të Audimit

Zyra Kombëtare e Audimit dje ka ndryshuar Raportin Kombëtar të Auditimit dy muaj pas publikimit në faqen zyrtare i cili kishte gjetur mbi 31 milionë euro shpenzime të Qeverisë në karburante.

Fillimisht, e gjithë kjo ndodhi kur në një emision televiziv deputetja Hykmete Bajrami, citoi raportin zytar të Zyrës Kombëtare të Audimit, i cili tregonte se Qeveria ka shpenzuar 31 milionë euro për karburante.

“Më lejoni të ju them këtë, në faqen 42 të Raportit të Zyres Kombëtare të Auditimit. Furnizimet mjekësorë janë 51 milionë, në vitin 2023. Shpenzimet e karburantit, 31 milionë. 31 milionë të krejt qeverisë”, tha Bajrami.

Ministri Hekuran Murati reagoi duke e quajtur këtë si lajm të rremë, anipse në fund të reagmit të tij thotë se ‘duhet të jetë përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku pastaj hyjnë edhe nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit’.

“Për dallim prej teje, që se ke problem të baltosësh institucionet në kuadër të fushatës së pistë që po bëni, unë dua të besoj në integritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, dhe që shifra prej 31 milionë eurove, ose duhet të jetë ndonjë lëshim teknik, ose duhet të jetë përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku pastaj hyjnë edhe nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit”, tha Murati.

Pas disa shkëmbime statusesh mes Muratit e Bajramit, Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka dërguar email kësaj të fundit, me Raportin e korrigjuar.

“Po ua rikujtoj se në krye të Zyrës Kombëtare të Auditorit e keni një zonjë që është motra e Këshilltares së Kryeministrit dhe nuk befasohem nëse ajo del edhe kundër raportit të saj e ju mbron juve”, shkroi Bajrami para se të kryhet korigjimi.

Pas gjithë kësaj u lajmërua edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, e cila doli me një sqarim në Facebook ku tha se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim dhe shtoi se shpenzimet e karburantit të veturave zyrtare janë 10,471,000 euro.

Shifrën e njëjtë gjatë ditës e përmendi edhe Ministri Hekuran Murati.

“Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €”, thuhet në sqarimin e ZKA.

Lidhja Demokratike e Kosovës thirri menjëherë konferencë për media ku e denoncoisiç u tha falsifikimin e dokumentit ndërsa i kërkoi prokurorisë ta hetojë këtë që e quajti krim të rëndë.

Ndërkaq, Vlora Çitaku nga PDK tha se ky është nivel i ri i abuzimit.

“Që shkojnë deri në atë pikë sa ta detyrojnë Zyren e Auditorit që të “korigjoj” vetveten, është nivel i ri i abuzimit. 9 shkurti nuk është larg. Kësaj marrëzie po i vie fundi”, tha Çitaku.

Ndryshe, kryeministri Kurti sa ka qenë në opozitë ka qenë kundër shpenzimeve të larta të zyrtarëve shtetëror me vetura zyrtare, duke e përsëritur deklaratën e famshme : “Ata kanë xhipa, ne duam trotuare”. /GAZETA10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.