Raporti: Arza Kastrati / Kanal10
Familjarë të fëmijëve që ndjekin mësimet në shkollën e mesme të ulët “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, janë shprehur të shqetësuar për mungesën e ndriçimit në këtë pjesë. Ata kanë thënë se po detyrohen që t’i përcjellin për në shkollë për çdo ditë fëmijët për shkak të rrezikut që po u kanoset atyre si pasojë e mungesës së ndriçimit e qenve endacak. Nga Komuna e Prishtinës nuk kanë treguar nëse do të rregullojnë ndriçimin në këtë pjesë, shkruan Kanal10.
Që 5 vjet, Gani Gashi nga Komuna e Prishtinës po detyrohet që ta shoqërojë nga shkolla për në shtëpi mbesën e tij.
E njëjtë po veprojnë edhe prindër të shumë nxënësve të kësaj shkolle, të cilët përfundojnë mësimin në orët e pasditës.
Kjo për shkak të mungesës së ndriçimit në rrugën “Toni Bler” në Prishtinë.
Gashi ka thënë se për shkak të numrit të madh të qenve endacak në këtë lagje, nuk të sigurt që mbesa e tij të shkoj e vetme në shkollë e të kthehet në shtëpi.
Ndërkaq, për shkak të mungesës së ndriçimit, e rrezikut nga qentë endacak, edhe Lutfi Murtezi po detyrohet që të shkojë në shkollë për të marrë mbesën e tij.
Me këtë rast, ai edhe kërkoi nga Komuna e Prishtinës që sa më shpejt të bëjë një zgjidhje sa i përket ndriçimit.
I shqetësuar për sigurinë e nxënësve për shkak të mungesës së ndriçimit në këtë rrugë është shprehur edhe drejtori i shkollës se mesme të ulët “Mehmet Gjevori”.
Kanal10 ka provuar që gjatë ditës të marr një përgjigje edhe nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, por që nga e njëjta nuk u janë përgjigjur interesimit të televizionit.