Lajme

Sllovenia fton në bisedë ambasadorin serb pas deklaratave të Vuçiqit për Kosovën

Gazeta10
06 Shtator 2022 - 15:50

Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë ka ftuar në bisedë ambasadorin serb për shkak të deklaratave të bëra nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan N1, transmeton Gazeta10.

Vuçiq gjatë vizitës së fundit të presidentit slloven, Borut Pahor në Beograd tha se Sllovenia, sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë.

Ambasadori slloven në Serbi, Damjan Bergant, po ashtu është ftuar në bisedë për temën e njëjtë, tha Ministria sllovene.

Presidenti serb, pas takimit me Pahorin në Beograd, ishte pyetur nga gazetarët pse Serbia nuk po i vendos sanksione Rusisë dhe ai ishte përgjigjur duke pyetur: “si t’ua shpjegoj qytetarëve se Serbia po i vendos sanksione Rusisë e jo Sllovenisë?”.

“Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë. Sllovenia e ka shkelur. Dhe siç e shihni, ne kemi raporte të mira me Slloveninë”, tha Vuçiq dhe shtoi se Sllovenia, sikurse për shembull Franca, Gjermania dhe SHBA-ja që njohin pavarësinë e Kosovës, që sipas qëndrimit të Serbisë, po shkel ligjin ndërkombëtar, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Ministria e Jashtme sllovene tha se ishte shumë e befasuar nga deklaratat e Vuçiqit.

“Edhe një herë, ne përsërisim qëndrimin tonë lidhur me Kosovën, që Sllovenia e njeh si shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë drejtim, ne shprehim pritjet tona që Serbia në të ardhmen të mos e problematizojë qëndrimin tonë karshi Kosovës sepse mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Ne po ashtu shprehim kundërshtinë që njohja e Kosovës nga Sllovenia të krahasohet me agresionin rus kundër Ukrainës”, u tha në deklaratën e Lubjanës, shkruan N1, transmeton Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.