Gjykimi Special

Sot shpallet urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës

Gazeta10
29 Nëntor 2024 - 9:02

Gjykata Speciale sot nga ora 11:00 do të shqiptojë urdhrin për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës.

Tetë viktima morën pjesë në proces, të gjithë nën masa mbrojtëse.

Më 16 korrik 2024, Trupi Gjykues shpalli fajtor Shalën për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim. Mbrojta e Shalës ka apeluar aktgjykimin dhe dënimin.

“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me krime lufte të kryera afërisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, në Fabrikën e Metalit në Kukës (FMK), një fabrikë e dikurshme për përpunimin e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë.

Gjatë kësaj periudhe, FMK-ja shërbeu si shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe u përdor për një sërë qëllimesh, përfshirë për rekrutim, mobilizim dhe logjistikë. Disa anëtarë të UÇK-së e përdorën edhe për të mbajtur të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtuar persona për të cilët mendohej se bashkëpunonin, kishin lidhje ose ishin simpatizantë të autoriteteve serbe, ose të cilët konsideroheshin se nuk përkrahnin mjaftueshëm përpjekjet e UÇK-së”, thuhet në komunikatën e Speciales.

Sipas njoftimit, numri i saktë i të ndaluarve në FMK gjatë periudhës që lidhet me akuzat nuk dihet, por sipas vlerësimit të Trupit Gjykues duhet të ketë qenë rreth 40 persona, përfshirë edhe tri femra. Trupi Gjykues arriti të identifikonte tetëmbëdhjetë persona.

Trupi Gjykues konstatoi se ata u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, në dhoma të vogla, pa ujë, ushqim dhe kujdes mjekësor të mjaftueshëm, nuk i lejuan të pastroheshin ose të ndërronin teshat.

Të ndaluarve nuk u dhanë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe nuk patën mundësinë të kundërshtonin ligjshmërinë e mbajtjes në ndalim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.