Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

16 vjet nga vrasja e Mon Balajt e Arben Xheladinit, Kurti e Konjufca kërkojnë drejtësi

Gazeta10
10 February 2023 - 19:24

Raporti: Viola Korça/Kanal10

Janë bërë 16 vjet nga protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 10 shkurt 2007, ku mbetën të vdekur dy aktivistët e saj, Mon Balaj e Arben Xheladini, si dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Krerët e VV-së, e kanë quajtur të drejt kundërshtimin e atëhershëm, derisa kërkuan drejtësi për Balajn e Xheladinin që humbën jetën atë ditë.

Krerë të institucioneve, deputetë, familjarë, aktivistë e qytetarë të shumtë, edhe këtë vit kanë vendosur lule pranë pllakës përkujtimore në sheshin “Nënë Tereza”, ku 16 vjet më parë, në protestën e 10  shkurtit 2007, u vranë dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini e Mon Balaj.

Edhe në këtë përvjetor, drejtuesit e Vetëvendosjes, kërkuan drejtësi për dy aktivistët e tyre të cilët u vranë në mbrojtje të kauzave, siç thanë ata, të drejta, të cilat i kishin atëherë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka vendosur lule në vendin ku u vranë Balaj e Xheladini, tha se protesta ishte e drejt dhe se pakënaqësitë ishin legjitime kundër planit të Ahtisaarit, i publikuar vetëm një javë para protestës së 10 shkurtit 2007.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Mon Balaj e Arben Xheladini, ranë dëshmorë për vetëvendosjen e Republikës.

“Vitet nuk e zbusin dhimbjen për këta pishtarë të guximit, idealizmit të virtytshëm dhe aktivizmit qytetar të pathyeshëm. As zemërimin e pafund për drejtësinë e munguar ndaj atyre që kryen aktin mizor dhe u arratisën nga vendi i krimit. Vendosja e drejtësisë dhe dënimi i autorëve të krimit të 10 shkurtit 2007 mbetet kërkesë e jona parësore. Sepse, siç thuhet, kur padrejtësia qesh në tryezë, drejtësia qan pas porte. Po. Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë”, ka shkruar Konjufca.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Ramizi, i plagosur në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, ka treguar për ditën kur u vranë dy aktivistët, Mon Balaj e Arben Xheladini. 16 vjet pas kësaj proteste, Ramizi thotë se Vetëvendosja ka ndryshuar rrënjësisht nga ajo çfarë ka qenë si organizatë.

KMDLNj ka kërkuar drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që viktimat e Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa, familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.

Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje ishte organizuar për ta kundërshtuar Pakon e Ahtisaarit, i cili parashihte themelimin e disa komunave serbe, shpallje të pavarësisë me mbikëqyrje ndërkombëtare dhe shumë çështje tjera.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.