Një aksident i dyfishtë automobilistik është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në afërsi të Prrenjasit.
Nga përplasja e dy makinave kanë mbetur të lënduar 6 persona, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pas aksidentit njëri prej të lënduarve është dërguar në spitalin e Elbasanit, pasi ka pësuar fraktura më të mëdha, raportojnë mediat në Shqipëri.
Ngjarja u regjistrua në vendin e njohur si “Ura e Mërkurit”, ndërsa drejtues të automjeteve ishin shtetasit me inicialet A. S., dhe Gj. P., me të cilit uniformat blu janë duke kryer procedurat e rastit.
Lagështia dhe shpejtësia tejet normave të lejuara dyshohet të jenë shkaqet e këtij aksidenti. Nga përplasja njëri prej automjeteve ka përfunduar në bordurën anësore të urës.
Njoftimi i Policisë:
Librazhd/Informacion paraprak
Në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas”, automjeti me drejtues shtetasin A. S. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Gj. P. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 3 pasagjerë në automjetin me drejtues shtetasin A. S. dhe 3 të tjerë në automjetin me drejtues shtetasin Gj. P., të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Me drejtuesit e automjeteve po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.