
Segmenti rrugor në fshatin Bresje, në komunën e Fushë Kosovë, po konsiderohet si pikë me rrezik të shtuar për aksidente trafiku, veçanërisht në zonën e semaforëve dhe kryqëzimit kryesor. Hiç më larg se mbrëmë një këmbësor u godit për vdekje.
Sipas ekspertit të komunikacionit, profesor Nol Dedaj, ky segment ka nevojë për hulumtim të detajuar profesional për të identifikuar saktë elementet dhe faktorët që po ndikojnë në numrin e aksidenteve.
Ai thekson se problemi kryesor qëndron te vetë struktura e kryqëzimit aktual, ku janë identifikuar jo më pak se 28 pika konflikti mes automjeteve, si dhe mes automjeteve dhe këmbësorëve.
“Ky kryqëzim, në formën aktuale, paraqet rrezik serioz për pjesëmarrësit në trafik. Numri i madh i pikave të konfliktit e rrit ndjeshëm mundësinë e përplasjeve dhe aksidenteve,” thekson Dedaj.
Sipas tij, një nga zgjidhjet më efektive do të ishte transformimi i kryqëzimit në qarkullim rrethor (rrethrrotullim).