Lajme

“5 banesa të djegura dhe 25 njësi tregtare” – Detaje të reja nga zjarri i madh në Shkodër

Gazeta10
14 Qershor 2024 - 23:33

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu tregun e rrobave të përdorura pasditen e sotme rreth orës 18:55 në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër.

Zjarri nisi fillimisht brenda tregut, duke u përhapur në banesat që ndodheshin pranë duke djegur 5 prej tyre. 25 njësi tregtare u përfshinë nga zjarri, ku rrobat e përdorura ndihmuan në përhapjen e flakëve.

Nga përfshirja e 5 banesave nga zjarri, fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz. Tregu në momentin që ra zjarri ishte mbyllur dhe kështu është shmangur tragjedia.

Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit që mori përmasa të frikshme, ndërsa u angazhuan të gjitha strukturat. Në terren janë 21 mjete zjarrfikëse të repartit të Shkodrës,  ku erdhën në ndihmë edhe forca nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari.

Në vendngjarje ndërhynë edhe 110 efektivë të forcave zjarrfikëse, 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të repartit të FNSH, 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës, 110 punonjës të Bashkisë Shkodër si dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.

1 helikopter i ushtrisë ndodhet në vendngjarje për të shuar vatrën e zjarrit, pasi pjesa më e madhe e flakëve është neutralizuar.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci ka folur për gazetarët, duke njoftuar se situata me zjarrin e madh që përfshiu tregun e rrobave të përdorura, tashmë është vënë nën kontroll.

Është stabilizuar situata. Ka një orë e gjysmë që është një luftë e vërtetë. Tani mendoj se nuk ka më ndonjë rrezik. E gjithë situata ka qenë shumë e rëndë. Lajmi mirë që s’kemi pasur dëm në njerëz dhe që se zjarri tani është nën kontroll”, tha ai.

Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni ka deklaruar se ka mbetur vetëm një vatër qendrore në tregun e rrobave të përdorura, ndërsa situata është e paprecedentë.

Një situatë paprecedent, ka pasur vështirësi për ndërhyrjen e emergjencave civile. Dua të falënderoj të gjithë zjarrfikësit nga Lezha Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Ulqini, të cilët në mënyrë të menjesheshme u paraqitën për të dhënë ndihëm e tyre. Është  nisur edhe helikopteri.  Perimetri i zjarrit është i lokalizuar, ka  mbetur një vatër qendrore. Po punohet për izolimin më të shpejt të tij. E rëndësishme është që nuk ka dëme në njerëz por vetëm dëmtime të disa banesave. Do shikohen hap pas hapi edhe masat që do merren”-u shpreh prefektja Majlinda Angoni./TopChannel

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.