
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Pesë ditë para takimit në Ohër, kryeministri Albin Kurti, ka treguar për 15 modelet e Asociacionit që u janë prezantuar nga emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak. Por sipas tij, do të ruhet kushtetushmëria e vendit. Opozita sërish ka kundërshtuar qasjen e Kurtit në dialog duke e cilësuar të dëmshme marrëveshjen mes dy vendeve.
Pak kohë para takimit në Ohër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar për 15 modelet që janë duke u trajtuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Shefi i ekzekutivit, tha se emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajkaç u ka dhënë këto modele që po shqyrtohen nga këshilltarët e tij.
Këto komente Kurti i ka bërë pas vendosjes së gurthemelit të një shkolle në Kamenicë, teksa theksoi se nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.
Në anën tjetër, opozita parlamentare ka vazhduar me kritikat për çështjen e Asociacionit.
Shef i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ripërsëriti qëndrimet e partisë së tij, se marrëveshja aktuale që po negociohet është e dëmshme për Kosovën.
Ndërsa, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi të trajtohen me kujdes temat që mund të nxisin probleme në rrafshin e brendshëm.
Kurse, shefja e Grupit Parlamentar të VV-s, Mimoza Kusari-Lila pret që në takimin e 18 marsit të mbizotërojë qasja konstruktive nga të gjithë.
Ndryshe, më 18 mars Kurti e Vuçiq, do të ritakohen pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, ku u dakorduan për planin evropian ndonëse nënshkrimi zyrtar nuk ka u dha nga asnjëra palë.
Ka qenë pala serbe e cila nuk ka treguar gatishmëri për nënshkrimin e kësaj të fundit, për dallim nga kryeministrit kosovar që kishte shprehur vullnet po atë ditë.