
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë nëse janë gjetur një pjesë e mostrave të Astrit Deharit, të cilat ishin zhdukur në dhjetor të vitit të kaluar. Ai ka thënë se kompetente për këtë rast është Ministria e Drejtësisë. E para e këtij dikasteri ka thënë se përgjigja duhet kërkuar në Prokurorinë Speciale. Ndërkohë, nga ky organ i hetuesisë është thënë se nuk mund të komentojnë raste që janë duke u hetuar.
Rasti i Astrit Deharit vazhdon të përcillet me mistere, derisa rrethanat e vdekjes së tij mbesin ende të pasqaruara.
E pasqaruar ka mbetur edhe zhdukja e mostrave të tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në dhjetor të vitit 2022, derisa pas disa javësh është raportuar se një pjesë e tyre janë gjetur.
Për këtë, institucionet e kanë hedhur përgjegjësinë te njëra-tjetra.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka refuzuar të flasë rreth gjetjes së mostrave të Deharit, duke thënë se kompetente për të dhënë informacione për këtë rast, është Ministria e Drejtësisë.
Ndërkohë, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk ka dhënë sqarime nëse janë gjetur një pjesë e mostrave të Deharit, duke thënë se për këtë është kompetente Prokuroria Speciale.
E nga Prokuroria Speciale kanë thënë se nuk mund ta japin informacione, pasi janë në fazën e hetimeve.
Ndryshe, të hënën, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka shkarkuar nga detyra kryeinspektorin Ylber Topalli, me arsyetimin se ai ka bërë një sërë shkeljes dhe raportesh kontradiktore për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në nëntor të vitit 2016. /Gazeta10