
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Vetëm pak kohë pas përfundimit të takimit mbi 12 orësh në Ohër, Bashkimi Evropian ka publikuar aneksin e zbatimit të Planit Evropian. Në këtë dokument kërkohet zbatimit i të gjitha pikave të marrëveshjes e cila u pranua në takimin e Brukselit me 27 shkurt. Ndërkohë, prioritet i është dhënë formimit të Asociacionit, për të cilin janë dhënë edhe afate kohore.
Dymbëdhjetë pika përmban aneksi për të cilin Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq, diskutuan me shumë 12 orë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me ndërmjetësimin e Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
E, pasi e pranuan, edhe pse nuk e nënshkruan, Bashkimi Evropian publikoi aneksin për zbatimin e Planit Evropian.
Pika 1 e këtij aneksi thotë se: Ky Aneks përbën një pjesë integrale të Marrëveshjes.
Pika 2. Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
Pika 3. Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët kanë parasysh se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Ndërmjetësi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.
Pika 4. Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.
Pika 5. Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për krijimin e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut të përcaktuara nga ndërmjetësi i BE-së.
Pika 6. Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.
Pika 7. Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.
Pika 8. Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.
Pika 9. Renditja e paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon renditjen e zbatimit të tyre.
Pika 10. Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.
Pika 11. Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Pika 12. Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që ata marrin nga BE-ja.
Më 18 Mars në Ohër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan planin për zbatimin marrëveshjes së propozuar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, në të cilin dy palët ishin pajtuar. /Gazeta10