
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Është mbajtur seanca e radhës përgatitore në rastin Thaçi dhe të tjerët nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Gjatë kësaj seance u tha se ZPS-së do t’i duhen 6 vjet e gjysmë për paraqitjen e provave, gjë që u kundërshtua nga trupi gjykues dhe mbrojtja e të akuzuarve. Derisa, u konfirmua se me 3 prill në orën 09:00 nis gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së.
Mbi gjashtë vjet do t’i duhen Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë për paraqitjen e provave kundër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të tjerëve.
Kjo është bërë e ditur në seancën e radhës përgatitore që është mbajtur të hënën, në të cilën u konfirmua se me 3 prill nis gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith, ka kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke thënë se koha prej mbi 6 vjet për paraqitjen e provave është e tepërt.
Po ashtu, Smith, kërkesë të njëjtë ka pasur edhe për palën mbrojtëse të të akuzuarve.
“Bazuar në informacionin që na është paraqitur dhe faktin që kemi 312 dëshmitarë, që është numri i fundit që na ka raportuar ZPS, përfshirë pyetjet nga pala kundërshtare, i bie që duhen 6.5 vite për t’i përfunduar, turpi gjykues mendon se 6.5 vite vetëm për provat e ZPS-së është e tepërt, e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë përpara dhe kemi thënë që ZPS të reduktojë përmasën e provave të veta dhe turpi gjykues mendon që edhe mbrojtja duhet të reduktojë kohën që i nevojitet për të kundër-pyetur dëshmitarët”, tha Charles L. Smith – Kryetar i Trupit Gjykues.
Ndërsa, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se synojnë t’i rishikojnë përllogaritjet kohore për 12 dëshmitarët e parë.
“Dëshmitarët e parë na japim informacion të rëndësishëm për të parë pastaj nëse mund të paraqesim dëshmitarë të tjerë me shkrim apo mund t’i heqim tërësisht. Kemi prova të mëdha sa i takon komunikatave të UÇK-së, kemi vet komunikatat, kemi deklarata që janë bërë në shtyp, kemi dokumente nga të akuzuarit, kemi deklarata nga të akuzuarit, kemi dëshmitarët brenda dhe jashtë UÇK-së që flasin rreth këtyre, siç e kuptojmë ne që në fakt u habitëm, autenticiteti i komunikatave të UCK-së po kundërshtohet nga mbrojtja, prandaj ne na duhet ta vërtetojmë këto”, deklaroi Matthew Holling – Prokuror në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në anën tjetër, avokatët e të akuzuarve kanë kundërshtuar ZPS-në, duke thënë se 6.5 vjet janë shumë dhe se do të kërkojnë shkurtimin e saj.
“Nëse shikojmë dëshmitarit 3, për të cilin ZPS na ka dhënë me qindra e me qindra faqe dhe kanë vendosur ta marrin në pyetje të drejtpërdrejta dhe ai zgjatë dhjetë orë, tani unë nuk e di çfarë do të dalë e re në këtë dhjetor por sigurisht që edhe kundër-pyetjet do të jenë të gjata, sepse ne nuk e dimë çfarë do të bëjnë këta, dhe kjo vlen edhe për dëshmitarin 7, kanë përcaktuar 12 orë për dëshmi dhe kemi pastaj dëshmitarin dhjetë për të cilin ka nëntë orë, edhe për dëshmitarin 7 dhe 10 janë me qindra dokumente dhe kur shikoj dosjen me informacione është e vështirë”, tha Gregory Kehoe – Avokat i Hashim Thaçit.
“Sigurisht ne do të përpiqemi të reduktojmë sa më shumë kohën që të përpiqemi të mos e zvarrisim shumë këtë gjykim por në momentin që do të fillojmë këtë rrugëtim të gjatë me prokurorinë në këtë gjykim, dhe pavarësisht të dhënave që na ka dhënë prokuroria, kush e di sa herë prokuroria ka dhënë premtime që nuk i ka mbajtur, në momentin që do e nisim këtë rrugëtim unë besoj që vërtetë do të vijë një kohë kur turpi gjykues do të thotë që po e teprojmë shumë. Por unë kam kohë që e kam paralajmëruar këtë situatë dhe zvarritjet që do të kemi”, deklaroi Ben Emmerson – Avokat i Kadri Veselit.
“Përmbledhjet e dëshmitarëve që po paraqet prokuroria lidhen dhe përfshijnë shumë aspekte që sipas nesh janë jashtë kuadrit të aktakuzës”, tha Geoffrey Roberts – Avokat i Rexhep Selimit.
“Përllogaritja që kemi dhënë ne ka qenë përllogaritja më e mirë që mund të bënim atë kohë, nëse mund ta reduktojmë do të bëjmë të pamundurën. Prokuroria mund të thërras më pak dëshmitarë dhe kështu mund të shkurtojmë”, tha Aydan Elis – Avokat i Jakup Krasniqit.
Në konferencë është bërë e ditur se deklarata hapëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në nisjen e gjykimit me 3 prill, do të zgjasë deri në pesë orë. Ndërsa, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi do t’i ketë tri orë për fjalën e saj hyrëse, ekipi i Kadri Veselit 45 minuta, mbrojtja e Rexhep Selimit një orë, ndërsa ajo e Krasniqit një orë e gjysmë.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Gazeta10