
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Një muaj pasi është ndërprerë kontrata me kompaninë e cila katër vite më parë kishte fituar tenderin për punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, Ministria e Infrastrukturës, të mërkurën ka hapur tenderin e ri. Por, krejt kjo procedurë pritet të merr fund pas 25 muajsh. E këto vonesa po i shqetësojnë banorët dhe pronarët e bizneseve të cilët operojnë në atë pjesë.
Në muajin mars të vitit 2023 ishte paraparë që të përfundonin punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.
E, pikërisht tani, Ministria e Infrastrukturës ka hapur tenderin e ri për ta përfunduar pjesën e mbetur të kësaj rruge.
Gjithë procedura e shërbimit, sipas këtij tenderi, do të zgjas 25 muaj.
Tre muaj do të zgjasë shqyrtimi i dizajnit, përgatitja e dosjes së tenderit, procedurat e prokurimit dhe vlerësimi i ofertave, 20 muaj periudha e mbikëqyrjes se punimeve dhe 2 muaj periudha e finalizimit të projektit.
E krejt këto zvarritje të punimeve po i shqetësojnë banorët të cilët jetojnë afër magjistrales.
Përpos banorëve, zvarritjet e punimeve po i shqetësojnë edhe bizneset të cilët operojnë në atë pjesë.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se procedurat marrin kohë, pasi ky është tender ndërkombëtar për konsulent dhe mbikëqyrje.
Në këtë tender mund të aplikojnë kompani ndërkombëtare dhe vendore.
Ndërkohë, me kompaninë e cila ka qenë fituese e tenderit është ndërprerë kontrata në shkurt të këtij viti.