
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Dy serbëve të Zubin Potokut u janë djegur dy vetura, të cilat një javë më parë i kishin regjistruar me targa RKS. Një veprim i tillë është konsideruar mesazh nga grupet kriminale serbe, se kështu do të pasojnë nëse dalin në zgjedhjet që do të mbahen në veri të vendit. E si pasojë e kësaj, kandidatët për kryetar të komunave thonë se do të shtohet frika te qytetarët që të mos dalin në zgjedhje.
Pamjet e djegies së veturave me tabela RKS, janë rikthyer serish në veri të Kosovës.
Pavarësisht marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nuk janë ndalur skenarët e djegieve të veturave të serbëve që konvertojnë tabelat ilegale serbe në ato RKS.
Mëngjesin e së enjtes, dy serbëve në Zubin Potol, veturat u janë bërë shkrumb e hi, një javë pasi që vendosën që tabelat e tyre t’i kthejnë në RKS.
“Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit. Pas pranimit të informacioneve njësitet policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore si dhe janë njoftuar ekspertë të zjarrit.”- Policia e Kosovës
Djegia e këtyre veturave është bërë pak ditë para mbajtjes së zgjidhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të vendit.
Pikërisht, një veprim të tillë, kandidati për kryetar të komunës së Zubin Potokut nga radhët e PDK-së, Izmir Zeqiri e ka parë si mundësi të frikësimit të qytetarëve për të mos dal në këto zgjedhje.
Ndërkaq, nga Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike kanë thënë se ky veprim është mesazh i ekstremistëve serbë ndaj banorëve lokalë për mosdjalen e tyre në zgjedhjet e 13 prillit.
Që kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që targat ilegale serbe të kthehen në RKS, janë djegur 11 vetura të qytetarëve që kishin vendosur të zbatonin një vendim të tillë të institucioneve të vendit.
Ndërkohë, zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe janë caktuar të mbahen më 23 prill, pasi për shkak të situatës, ishin shtyrë më 25 dhjetor.
Lista Serbe ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje deri në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.