Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Banorët e fshatrave të Klinës protestojnë para komunës, kundërshtojnë devijimin e trasesë

Gazeta10
30 March 2023 - 20:17

Raporti: Saranda Alshiqi

Devijimi i ndërtimit të magjistrales Prishtinë-Pejë, ka revoltuar banorët e disa fshatrave të Klinës. Të enjten, banorët e fshatit Gllarevë dhe disa fshatrave përreth, kanë protestuar para komunës, me kërkesën për mos devijim të trasesë. Për këtë, zëvendësministri, Hysen Durmishi thotë se kanë diskutuar me banorët, duke u treguar se projekti ka qenë i mëhershëm.

Me pankartat “Mbaj premtimet kryeministër”, “Mos i mbyll bizneset tona”, “Jo Devijim të rrugës”, banorët e fshatit Gllarevë të Klinës dhe fshatrat përreth protestuan të enjten para komunës.

Ata po e kundërshtojnë planin për devijimin e trasesë për ndërtimin e magjistrales Prishtinë-Pejë.

Banorët e këtyre fshatrave thonë se, nëse devijohet traseja, atëherë bizneset përgjatë kësaj rrugë detyrohen të mbyllen.

Banorët thonë se rruga ekzistuese tashmë është e shpronësuar, derisa vendimin për zhvendosje të trasesë po e shohin si të padrejtë.

E për këtë, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hysen Durmishi, thotë se kanë biseduar me banorët.

“I kemi takuar banorët, e kemi sqaruar, projekti është i mëhershëm nuk është bërë tash. Shpronësimi dhe kostoja e ndërtimit është më e ulët kur shkojmë jashtë rrugës ekzistuese pavarësisht që në atë ekzistuese janë shpronësuar disa. Kur është bërë projekti kanë qenë tri variante, është bërë vlerësimi për secilën. Sa i përket bizneseve përgjatë rrugës, ato mund të dëmtohen por edhe penalizohen, për shkak se kur bëhet rruga me katër korsi, hapësira është e ngushtë, dhe rrjedhimisht mund të kenë edhe probleme.”- Hysen Durmishi – Zëvendësministër i MPHI-së

Megjithatë, banorët kanë thënë se do ta kundërshtojnë këtë plan me të gjitha mjetet.

Derisa, ankesa e pakënaqësi, nga banorët e fshatrave të kësaj rrethine kishte edhe në vitin 2018 kur është përmendur një gjë e tillë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.