
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Njohësit e kushtetutës nuk e kanë përjashtuar mundësinë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund ta rrëzojë nga posti presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Sipas tyre, një gjë e tillë mund të ndodhë nëse Kushtetuesja gjen fakte se dy deputetë kanë fituar mandatet kundërligjshëm, e të cilët kanë votuar pro zgjedhjes së Osmanit në krye të shtetit. Por, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, pavarësisht vendimit të Kushtetueses, mandati i presidentes nuk rrezikohet. Për këtë, kanë reaguar edhe nga Zyra e Presidencës.
Një skenar sikur në rastin e ish-presidentit të vendit, Behxhet Pacolli, mund të përsëritet edhe në rastin e zgjedhjes në krye të shtetit të Vjosa Osmanit.
Votat e dy deputetëve nga komunitetet pakicë që mundësuan zgjedhjen e Osmanit si presidente e vendit, mund të kontestohen nga Gjykata Kushtetuese, e cila tash e mbi dy vjet ka në shqyrtim një lëndë të tillë.
Profesori i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka thënë se nëse gjykata vendosë që dy deputetët nga komunitetet pakicë kanë fituar mandatet përmes procesit të vjedhjes së votave, atëherë sipas tij, mund të përsëritet e njëjta histori sikur në rastin e Pacollit.
Por, pavarësisht çfarëdolloj vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me lëndën e dy ish-deputetëve, Veton Berisha dhe Albert Kinolli, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, presidentes Osmani nuk i rrezikohet mandati.
“Sikurse, edhe në rast Gjykata vendos në favor të dy deputetëve, prapëseprapë nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes, pasi që kanë kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjes së Presidentes së Republikës. Në rastin konkret, procedura kushtetuese nuk është e drejtuar tek vendimi për përzgjedhjen e presidentes, por vetëm tek mandati i një deputeti, anulimi i të cilit mandat, siç u tha, nuk mund të ketë pasoja me vendimet tanimë të nxjerra.”- Ehat Miftaraj – Drejtor ekzekutiv i IKD-së
Ndërkaq, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, i cili e ka dorëzuar ankesën në Gjykatën Kushtetuese, thotë se shpreson që vendimi të merret sa më shpejt.
Derisa, ai ka refuzuar të komentojë nëse nga një proces i tillë, mund të rrëzohet edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Por, këto raportime janë kundërshtuar nga Zyra e Presidencës së Kosovës.
Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes Osmani, i ka cilësuar si të pavërteta këto raportime.
“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore. E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre.”- Blerim Vela – Shefi i stafit të Presidentes
Ndryshe, Behxhet Pacolli ishte zgjedhur president i Kosovës, më 22 shkurt të vitit 2011, dhe në këtë post kishte qëndruar vetëm pak javë, pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, e kishte detyruar atë të jepte dorëheqje më 4 prill të po atij viti.
Gjykata Kushtetuese, pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte konstatuar se me rastin e zgjedhjes së presidentit, Kuvendi kishte shkelur procedurat.
Përveç Pacollit, Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar nga posti i presidentit edhe Fatmir Sejdiun si dhe kryeministrin Avdullah Hoti.