
Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të xhiros së 27-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Vëmendja padyshim ishte në Suharekë, ku Ballkani ishte nikoqir i skuadrës së Gjilanit, ndërsa dy ndeshje tjera interesante u zhvilluan edhe në Prishtinë e Podujevë.
Ballkani doli fitues në ndeshjen derbi ndaj Gjilanit me rezultat 2-0, me golat e shënuar nga Meriton Korenica dhe sulmuesi Albion Rrahmani.
Fitore arriti edhe Prishtina, e cila me rezultat të thellë 4-1 mposhti skuadrën mitrovicase, Trepçën ’89. Bardhekaltërit arritën që në pjesën e dytë të shënojnë 4 gola për të rikthyer rezultatin, i cili pas pjesës së parë ishte në të mirë të ’89-shit.
3 pikë arriti t’i arkëtojë edhe skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina, Llapi, i cili shënoi fitore minimale ndaj Malishevës me rezultat 1-0.
Pas kësaj fitore, Ballkani momentalisht gjendet në pozitën e parë me 54 pikë, 2 më shumë se Drita që ka një ndeshje më pak.
Ndërsa, Gjilani mbetet në pozitën e tretë me 40 pikë, e ndjekur nga Prishtina në vendin e katërt me 38 pikë.
Pozitën e e pestë në tabelë e zë Llapi, ndërsa kundërshtari i tyre, Malisheva pozicionohet e 7-ta në tabelë, gjersa ’89-shi mbetet në pozitën e cila të dërgon në barazh.
Gjatë ditës së nesërme zhvillohen edhe dy ndeshjet e mbetura: Drita – Drenica dhe Dukagjini – Ferizaj.